KLP vazhdon intervistat me kandidatët e SPAK

schedule21:35 - 10 Korrik, 2019

schedule 21:35 - 10 Korrik, 2019

Pas këtyre dyerve po zhvillohet procesi me i rëndësishëm për përzgjedhjen e më të mirëve për në SPAK thënë ndryshe të prokurorisë së re që do hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtareve të lartë. Në një proces që ka nisur që prej të hënës të gjitha ata që mendojnë se janë njerëzit e duhur për të hetuar korrupsionin janë ulur përballë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kandidatët kanë dhënë shpjegime jo vetëm karrierën, por edhe si do të hetojnë atë që pret i gjithë publiku. Këtë të mërkurë përpara anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë qëndruar Edvin Kondili,  Elida Kaçkini, Dorina Bejko Behar Dibra, dhe kryeprokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Kjo e fundit është pyetur për çështjen e ish-drejtorit të burgjeve, Artur Zoto, i cili ka marrë pafajësinë në Apel. Lidhur me të, Imeraj është shprehur se ka respektuar ligjin dhe do të vepronte po njëlloj edhe tani.

E pyetur se çfarë do bënte më shumë në SPAK, prokurorja Imeraj ka deklaruar se rezultatet do të jenë më të mira, pasi do kenë edhe Byronë e Hetimit dhe kushte më të mira për të luftuar korrupsionin.

Pyetjet me të cilat janë përballur kandidatët e SPAK lidhen me anën profesionale, shkollimin, mënyrën si janë hetuar emra të njohur të botës së krimit etj. Ky proces pritet që të mbarojë të premten, ndërsa hapi i radhës për KLP-në është renditja ose pikëzimi i kandidatëve.

Por që SPAK të ngrihet, duhet pritur përfundimi i procesit të vettingut. Prokurorët Arben Kraja dhe Dritan Prenci janë të vetmit, që e kanë kaluar zyrtarisht vettingun, pa u përballur me një ankimim./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!