KLGJ ka shtyrë për ne një datë tjetër vendimin për gjyqtarin Markelian Kuqo. Vendimi për gjyqtarin do të jepet në datën 21.
Ditën e sotme Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nisi parashtrimin në seancën dëgjimore në KLGJ për fillimin e procedimit disiplinor magjistratit Markelian Kuqo.
Gyqtari Markelian Kuqo liroi nga burgu Gert Gjinararin, i njohur si një prej të “fortëve të Tiranës”, ndryshe “Gjenerali”. Për këtë arsye ILD ka kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtarit.
Gazetarja Glidona Daci raporton se në seancën e sotme, kreu i ILD, Artur Metani është shprehur se nuk janë zbatuar kërkesat mbi plotësimin e kritereve ligjore me natyrë subjektive, siç janë “arsyet e veçanta” apo “rastet e jashtëzakonshme”.
“Faktet dhe rrethanat janë parashtruar dukshëm në mënyrë të shtrembëruar dhe vetëm për t’ju përshtatur plotësimit të kërkesave formale (me natyrë objektive) si dhe atyre me natyrë subjektive të nenit 64 dhe 65 të Kodit Penal.
Nga ana e magjistratit nuk është mbajtur në konsideratë krahas jurisprudencës së Gjykatës së Lartë në lidhje me këtë institut të së drejtës penale edhe vetë praktika e tij e ndjekur gjatë trajtimit të kërkesave me objekt “Lirim me kusht”;
Këto veprime/mosveprime të magjjistratit janë kryer në mënyrë drejtpërdrejtë, të vazhduar, të vullnetshme dhe të pajustifikuar brenda të njëjtit proces, duke arritur në përfundimin se janë kryer me dashje direkte nga ana e tij.
Vlerësohet se për veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratit Markelian Kuqo që parashikohen si shkelje disiplinore nga neni 101, pika 1, shkronja “b” dhe neni 102, pika 2, shkronjat “a” dhe “b”, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; që përbëjnë “Shkelje shumë e rëndë disiplinore” dhe që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, duhet të jepet masa disiplinore “Shkarkim nga detyra”, ka deklaruar Metani në seancë.
Në 14 shkurt 2019, gjyqtari Kuqo, me një vendim të shumëdebatuar vendosi të lironte me kusht nga burgu Gert Gjinararin, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm si bashkëpunëtor me Arben Grorin në vrasjen e bujshme të Naim Zyberit në Itali. Në Itali, Gert Gjinarari është dënuar dy herë për një sagë krimesh që nga trafiqet, veprimtari në kuadër të grupit kriminal. Në vendimin e gjyqtarit shkruhet se Gjinarari është plotësisht i rehabilituar dhe i gatshëm për t’u riintegruar në shoqëri. g.v/abcnews.al