KLGJ pezullon nga detyra gjyqtaren Enkeleda Hoxha

schedule15:42 - 15 Shkurt, 2021

schedule 15:42 - 15 Shkurt, 2021

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pezulluar nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Krujës Enkeleda Hoxha. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të KLGJ, pas vendimit të GJKKO që e la Hoxhën në burg.  Avokati i gjyqtares u shpreh se ky ishte një vendim i padrejtë, pasi Hoxha në shtëpi ka dy fëmijë të mitur dhe një baba të sëmurë dhe do ishte humane që të lihej në arrest shtëpie.

“Sot, në datën 15.02.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën u njoh me vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për magjistraten Enkeleda Hoxha me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë. Pasi dëgjoi relatimin nga Komisioni Disiplinor, Këshilli me vendimin nr.53, pezulloi nga detyra magjistraten Enkeleda Hoxha me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë”, thuhet në njoftim e KLGJ.

Enkeleda Hoxha u arrestua me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme pasi dyshohet se me 9 persona të tjerë kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale. Mes të arrestuarve janë, avokati Aldo Tabaku si edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi.

Si funksiononte skema

Fillimisht, sipas SPAK, të dënuarit zgjidhnin avokat Aldo Tabakun, i cili kishte kontakte të ngushta me gjyqtaren Enkeleda Hoxha. Nga ana tjetër, sekretarja e gjykatës bënte të mundur që çështja të kalonte për shqyrtim pikërisht nga gjyqtarja Enkeleda Hoxha, e cila merrte vendim pro kërkuesve./mv.abcnews.al