Kërkesa e përfaqësuesve të komunitetit LGBTI për të zëvendësuar fjalët “Nënë” dhe “Baba” me “Prindi 1” dhe “Prindi 2” ka vënë në lëvizje Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë. Ai i ka dërguar Kuvendit një kërkesë për të marrë pjesë në seancat e Komisionit të Ligjeve ku do të diskutohet në lidhje me Kodin e Familjes.
KNSH ka hartuar një draft propozimesh në lidhje me ndryshimet në këtë kod duke nisur nga mosha e deri te kushtet e birësimit të një fëmije, bazuar edhe në Kodin Civil Italian. Kështu ajo kërkon që të rritet mosha e birësuesit të një fëmije nga 21 vjeç që është aktualisht të bëhet 35 vjeç e sipër dhe vetëm në raste të rralla të jetë 30 vjeç e sipër.
Kusht është që i mituri të birësohet nga persona që janë bashkëshortë ose bashkëjetues dhe kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme me njëri tjetrin prej të paktën tre vitesh. Partnerët duhet të jenë të lidhur në martesë ose bashkëjetesë sipas përcaktimeve të neneve 1 dhe 163 këtij kodi.
Por çfarë thonë këto nene
Nënin 7 thuhet se martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Ndërkohë që neni 163 nënvizon se bashkëjetesa është një bashkim mes burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.
Këshilli ndërfetar i Shqipërisë thotë se nuk duhet të ndryshojë koncepti i martesës dhe bashkëjetesës mes burrit dhe gruas. “Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë insiston për mosndryshimin e konceptit të martesës dhe bashkëjetesës, duke u përcaktuar pjesëmarrësit në këto institute si Burrë dhe Grua nga lindja”, thekson KNSH. /Abcnews.al