Lulzim Basha kreu aktual i Partisë Demokratike i është kundërpërgjigjur ish-presidentit Bujar Nishani, duke thënë se shpif për deklaratat e tij.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale Basha ka thënë se ndjen neveri për Bujar Nishani, i cili ka deklaruar më parë se Basha kishte dijeni që SHBA do të shpallte Berishën “non grada”, prandaj afroi zgjedhjet në Parti nga 22 korriku në 13 qershor.
Kreu i PD ka theksuar se Nishani ka inat personal dhe e ka kaluar limitin. Sipas Bashës këto shpifje të ulëta të Nishanit i shërbejnë atyre që duan përçarjen e Partisë Demokratike.
“E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim me të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit. Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj.” shkruan Basha. /abcnew.al/