“Kishin marrë kërcënime”, gazetari britanik dhe eksperti zhduken në pyjet e Amazonës

schedule08:23 - 7 Qershor, 2022

schedule 08:23 - 7 Qershor, 2022

Një gazetar britanik dhe një ekspert indigjen brazilian janë zhdukur në një zonë të largët të pyjeve tropikale të Amazonës.

Dom Phillips, një bashkëpunëtor i rregullt i gazetës Guardian në Brazil, u pa për herë të fundit në rajonin Javari, shteti Amazonas në fundjavë.

Ai po udhëtonte në këtë zonë me Bruno Pereira-n ndërsa po kërkonte një libër. Të dy kishin marrë kërcënime ditë më parë, thonë grupet indigjene.

Familja e Phillips thotë se “çdo sekondë ka rëndësi” në kërkimin e tij.

Policia federale dhe marina po kërkojnë për të dy në rajonin e largët.

Dy peshkatarë u arrestuan në lidhje me zhdukjen e burrave të hënën në mbrëmje, raporton gazeta braziliane O Globo, por u liruan.

Phillips, 57 vjeç, ka  jetuar në Brazil për më shumë se një dekadë.

Pereira, i cili aktualisht është në pushim nga posti i tij në agjencinë qeveritare të çështjeve indigjene Funai, është një ekspert për fiset e izoluara në Amazon, shkruan BBC.

Të dy kishin udhëtuar me varkë për në liqenin Jaburu të premten.

Ata më pas pritej të ktheheshin në qytetin Atalaia do Norte të dielën pasdite, sipas dy grupeve indigjene.

Por dyshja nuk mbërriti kurrë.

Familjet e burrave kanë shprehur alarmin që nga humbja e të dyve.

“Në pyll çdo sekondë ka rëndësi, çdo sekondë mund të jetë ndryshimi midis jetës dhe vdekjes”, tha gruaja Phillips, Alessandra Sampaio në një deklaratë.

Ish-presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva shkroi në Twitter: “Phillips më intervistoi për Guardian në 2017. Shpresoj që ata janë mirë, të sigurt dhe do të gjenden shpejt”.

The Guardian tha se ishte “shumë i shqetësuar” për  Phillips dhe “po kërkonte urgjentisht informacion në lidhje me vendndodhjen dhe gjendjen e tij.”

Rajoni veriperëndimor i Javarit, shtëpia e mbi 20 grupeve indigjene, është goditur nga dhuna në vitet e fundit.

Agjencia qeveritare për çështjet indigjene, Funai, e cila ka një bazë në rajon, është sulmuar gjithashtu disa herë atje vitet e fundit./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!