“Kisha besim tek ekipi dhe kualiteti”, Duka pas “magjisë” ndaj Çekisë: Fitoren e sotme e kam shijuar më shumë se të tjerat

schedule23:47 - 12 Tetor, 2023

schedule 23:47 - 12 Tetor, 2023

“Legjionarët” tanë kanë zhvilluar një ndeshje “magjike” mbrëmjen e kësaj të enjteje në mitkun “Air Albania”, teksa kanë arritur të mundin me rezultatin e thellë, 3 me 0, duke “blinduar” kështu vendin e parë në grupin E, të vlefshëm për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.

Tepër i lumtur për këtë triumf tejet të rëndësishëm të “legjionarëve” tanë ishte dhe Presidenti, Armand Duka, me “numrin 1” të FSHF-së, që për mediat pas ndeshjes u shpreh se do të ishte shumë i lumtur dhe me një barazim, teksa gjithashtu u ndal dhe te Europiani i vitit 2016.

“Kisha shumë emocion para ndeshjes, si asnjëherë tjetër. Kisha besim tek ekipi dhe kualiteti, ishte ndeshje shumë e vështirë, tani pas ndeshjes dukej si shumë e lehtë. E stër merituam me gjithçka në fushë. Spektatorët na mbështetën maksimalisht në një mënyrë fair, tani duam katër gola, por me 1 para ndeshjes ishim të lumtur. Të gjithë jemi të lumtur për këtë 3 pikës. Jemi me dy këmbë në Europian. Jam i bindur që do bëjmë edhe më shumë. Më vjen keq që nuk e kam Lorikun afër ta përqafoj.

Këto fitoren sot e kam shijuar më shumë. I kisha lënë të gjitha për fitoren e sotme. Na takon që të festojmë gjatë. Dua të përqafoj gjithë stadiumin sot. Edhe humbjen që kemi bërë në Poloni nuk e meritonim. Një falenderim i veçantë për trajnerin dhe stafin e tij, kanë krijuar vërtet frymën e grupit. Sekreti është tamam skuadra dhe jo individët.

Janë gëzime të mëdha, edhe ajo e para ishte shumë emocionuese, nuk e harroj dot kurrë atë festimin në Armeni. Tani kemi më shumë eksperiencë, do bëjmë më mirë në Europian. Është e vështirë të fle sot. Gjimshiti është i vetmi futbollist që ne i kemi shumë borxhe. Unë vërtet e dashuroj, është fantastik.

Ky futbolli ça s’të bën. Kam bërë çdo veprim sot nga mëngjesi deri në mbrëmjen të njëjtën gjë si me Poloninë. Kurrë nuk e mendoja që do të rezultonte një fitore 3-0. Do të isha i kënaqur dhe me një pikë. Por këta lojtarë i mundën me kolektivitet. Duhet të falënderojmë të gjithë bashkë çdo shqiptar. Të gjithë shqiptarët ku jetojnë kanë qenë me sy e zemër te këta çuna.

A është skuadra më e mirë? këtë duhet ta thonë publiku dhe specialistët. Ka në përbërjen e vetë çuna me mend e sedër. Nuk kemi superyje në skuadër, por kemi një skuadër yll. Nuk dua t’i krahasoj me njëri-tjetrin.

Ne e kemi merituar pjesëmarrjen në Euoprianin e 2016 sepse dhe fitorja në KAS erdhi nga djersët e çunave. Padyshim më ka shijuar shumë EURO 2016 sepse ishte hera e parë. Tashmë nëse nuk shkojmë në Europian është rrezik. Nëse nuk shkojmë në Botëror do të jetë rrezik.

Kam përqafuar dhe kryeministrin dhe kam dashur të përqafoj çdo njeri që të më dilte përpara.

Asani ka shënuar tre gola fantastikë. Por çdo gjë ja dedikoj të gjithë skuadrës dhe asnjë individi. Çdo njeri që vesh fanellën e Kombëtares dhe sjell sukses, gjëja kryesore është që motivon brezat për të arritur aty ku kanë arritur këta.

Nuk mund të jesh i sigurt në momentin që vendos, por Sylvinho na ka bindur me projektin dhe CV-në e tij. ka diçka që të bën për vete. Të gjithë çunat e duan, e duan pafund. Silvinjo ka një meritë kryesore për këto rezultate. Ai është regjisori që i bashkon këta. Në dhomat e zhveshjes tha ne jemi 1 në shqip. Edhe për ata që nuk ishin si Ismajli ose ndonjë tjetër që ka kontribuar në këto ndeshje dhe nuk ishte”,- u shpreh Presidenti Duka. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!