Lëshimi i shumëpritur i misionit robotik kinez “Chang’e-7” i projektuar për të eksploruar polin jugor të Hënës në kërkim të akullit (ujit në gjendje të ngurtë), një burim me vlerë të lartë që edhe SHBA-ja shpreson ta shfrytëzojë “nuk mund të realizohet brenda afatit kohor të planifikuar për këtë vit”, sipas një deklarate të Zyrës Kineze të Inxhinierisë së Hapësirës me Ekuipazh, të publikuar nga mediat shtetërore kineze.
Misioni pritej të nisej që të dielën në mbrëmje ose të hënën në mëngjes, sipas orës së Pekinit. Nuk është e qartë se kur mund të jetë në gjendje Kina të tentojë sërish nisjen e misionit. Arsyeja e saktë e shtyrjes nuk u bë menjëherë e qartë.
Mediat shtetërore njoftuan vetëm se “sonda hënore nuk i plotëson kushtet për lëshim” dhe se “vlerësimi u krye duke ndjekur parimet e kujdesit, besueshmërisë dhe suksesit të garantuar të misionit”.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina po garojnë për të ndërtuar vendbanime në polin jugor të Hënës, ku besohet se ekziston ujë në sasi të mëdha në formë akulli, brenda kratereve të zhytura në hije. Asnjë mision nuk e ka analizuar ende drejtpërdrejt ujin në Hënë, gjë që do të përpiqet ta bëjë misioni Chang’e-7.
Megjithëse SHBA-ja ka zbuluar dhe ka filluar të vlerësojë sasinë e rezervave të akullit ujor duke përdorur sensorë në satelitë që orbitojnë Hënën, ajo nuk ka dërguar kurrë me sukses një sondë për të shpuar e për ta nxjerrë këtë burim.
Një kompani me bazë në Teksas, Intuitive Machines, dërgoi në Hënë një pajisje shpimi për kërkimin e ujit në vitin 2025, por anija kozmike u rrëzua ndërsa përpiqej të ulej në terrenin famëkeq e të rrezikshëm të Polit të Jugut dhe nuk arriti t’i përmbushte objektivat e misionit.
Megjithatë, vonesa në lëshimin e misionit Chang’e-7 mund ta rikthejë në një garë të hapur këtë kapitull të garës hapësinore – term me të cilin zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar rivalitetin me Kinën.
Gara drejt Polit të Jugut SHBA-ja ka disa mjete hapësinore që po nisen drejt të njëjtit rajon hënor ku synon të arrijë edhe Chang’e-7 gjatë vitit të ardhshëm. Kompania Astrobotic Technologies, me bazë në Pittsburgh, mund ta lëshojë modulin e saj zbarkues “Griffin” drejt Polit të Jugut të Hënës që në fund të vitit 2026.
Gjithashtu, sipërmarrja hapësinore e Jeff Bezos, Blue Origin, planifikon të dërgojë deri në dy module zbarkuese robotike në Hënë vitin e ardhshëm; njëri prej tyre mund të transportojë roverin VIPER, një robot kërkimor i projektuar posaçërisht nga NASA për të gjetur akull uji dhe burime të tjera hënore. Besimi se Poli i Jugut i Hënës përmban rezerva të mëdha uji të ngrirë është një arsye kryesore pse ky rajon është shndërruar në arenën kryesore të kësaj gare ndërkombëtare.
Ky burim ka një vlerë të jashtëzakonshme për eksplorimin e hapësirës së thellë dhe për një bazë të mundshme hënore, pasi mund të shndërrohet në ajër të frymëzueshëm, ujë të pijshëm apo edhe në karburant raketash.
Aktualisht nuk dihet nëse akulli ujor gjendet në sasi të mjaftueshme për të qenë i dobishëm për këto qëllime, por misioni Chang’e-7 mund të ndihmojë në arritjen e “progresit të rëndësishëm lidhur me këtë çështje, duke saktësuar dhe fokusuar eksperimentet për eksplorim dhe testim të mëtejshëm”, tha për CNN Yuqi Qian, gjeolog hënor në Universitetin e Hong Kongut.
Qian u shpreh se, me misionin Chang’e-7, programi hënor i Kinës po “kalon nga një program eksplorimi në një program për shfrytëzimin e burimeve”.


