Pekini zyrtar bëri të ditur më 15 shtator se ka vendosur t’i sanksionojë dy kompani amerikane, Lockheed Martin dhe Northrop Grumman, për rolin e tyre në furnizimin me armë për Tajvanin.
Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, ndihmon në furnizimin e Tajvanit me armë për mbrojtjen e vendit.
Në të kaluarën, administratat amerikane e kishin bërë këtë përmes shitjeve dhe jo ndihmës direkte. Por, në gusht, Uashingtoni e miratoi për herë të parë ndihmën e drejtpërdrejtë ushtarake amerikane për Tajvanin në kuadër të një programi të ndihmave drejt qeverive të huaja.
“Pavarësisht kundërshtimit të fortë të Kinës, qeveria e SHBA-së është e vendosur t’i ofrojë armë Tajvanit… duke dëmtuar seriozisht sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës dhe duke shkuar gjithnjë e më tej në rrugën e gabuar dhe të rrezikshme të armatosjes së Tajvanit”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Nin, në një konferencë për media.
Ajo tha se Lockheed Martin ishte kompania kryesore e kontraktuar për shitjen e armëve amerikane në Tajvan që u zhvilluan më 24 gusht dhe se Northrop Grumman kishte marrë pjesë në shitje “shumë herë”.
“Kina ka vendosur t’i sanksionojë dy kompanitë e mësipërme ushtarake amerikane”, shtoi ajo.
Mao tha se Kina u kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta ndalonin shitjen e armëve në Tajvan.
“Përndryshe, ajo do të përballet në mënyrë të pashmangshme me një përgjigje të vendosur dhe reagim të fortë nga Kina”, shtoi ajo.
Pakoja e armëve në vlerë prej 80 milionë dollarësh e miratuar në gusht ishte e vogël në krahasim me vlerën e shitjeve të fundit. Por, ajo ishte hera e parë që ndihma ishin dhënë për Taipein në kuadër të programit të financimit të jashtëm ushtarak, i cili përgjithësisht përfshin grante ose hua për vendet sovrane.
Kina, një fuqi diplomatike dhe ushtarake, e pretendon ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit si pjesë të territorit të saj dhe është zotuar ta pushtojë atë, edhe me forcë nëse është e nevojshme.
Në korrik, SHBA-ja zbuloi një pako të ndihmave ushtarake në vlerë prej 345 milionë dollarësh, e krijuar për ta forcuar shpejt kapacitetin e Tajvanit për të zmbrapsur një pushtim kinez.
Mjetet në këtë pako – për të cilën një zyrtar tha se përmbante pajisje të inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit dhe municione të armëve të vogla – do të tërhiqeshin nga rezervat e vetë Uashingtonit, në mënyrë që të mund të dorëzohen në një afat kohor më të shpejtë se zakonisht.
Njoftimi i sanksioneve të fundit nga Kina vjen pas ditëve të tensioneve të shtuara në rajon.
Ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se 68 avionë kinezë dhe dhjetë anije detare u zbuluan pranë ishullit midis mëngjesit të 13 shtatorit dhe mëngjesit të 14 shtatorit.
Pekini, në vitet e fundit, ka shtuar presionin ndaj Tajvanit.
Numri i fluturimeve të avionëve luftarakë rreth ishullit u rrit në mënyrë drastike pas vizitës së gushtit të kaluar nga Nancy Pelosi, atëkohë kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së./REL