Kina kërkon të zgjerojë bazat e vëzhgimit në Kubë

schedule13:10 - 3 Korrik, 2024

schedule 13:10 - 3 Korrik, 2024

Imazhet e reja satelitore nga Kuba tregojnë se në ishull ka gjasa që po instalohen katër baza ushtarake në bashkëpunim me Kinën, për t’i siguruar Pekinit një rrjet objektesh që mund të përdoren për të spiunuar Shtetet e Bashkuara.

Imazhet, të paraqitura në një raport nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Uashington, janë marrë në mars dhe prill. Ndërtime të reja janë pikasur kohëve të fundit në tri vende pranë kryeqytetit, Havana, si dhe në një vend të paraportuar më parë, jo shumë larg bazës detare të SHBA-së, në Gjirin e Guantanamos.

Bejucal është më i madhi nga katër vendet, sipas CSIS dhe së pari u bë i njohur gjatë krizës së raketave kubane të vitit 1962, kur baza u përdor për të ruajtur armët bërthamore për Bashkimin Sovjetik. Kohët e fundit, ka fituar rëndësi si një stacion kryesor i monitorimit, i dyshuar për gjurmimin e komunikimeve elektronike për Kinën. Fotot e reja satelitore tregojnë dëshmi se Bejucali ka pasur përmirësime të mëdha, duke përfshirë instalimin e antenave, radarëve dhe pajisjeve të tjera që mund të ndihmojnë në monitorim.

Zyrtarët amerikanë thanë më vonë se Kina kishte përmirësuar objektet e saj të inteligjencës në Kubë në vitin 2019, por reagimi i SHBA-së e kishte penguar Pekinin të arrinte qëllimet e veta. Ndërsa për situatën aktuale, Kina hodhi poshtë gjetjet e raportit të CSIS. Madje, një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington e konsideroi “asgjë tjetër veçse shpifje”. Kuba kundërshtoi gjithashtu raportin e CSIS.

Raporti thotë se stacionet e monitorimit në Kubë mund të ndihmojnë Kinën të fitojë aftësitë dhe njohuritë që i nevojiten, teksa po përpiqet të kapërcejë ushtarakisht Shtetet e Bashkuara.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!