Ushtria kineze tha më 26 nëntor se ka dislokuar forca ajrore dhe detare për të monitoruar situatën, duke paralajmëruar një avion patrullues të Marinës amerikane që fluturoi përmes Ngushticës së Tajvanit. Pekini tha se Shtetet e Bashkuara po tentojnë të “mashtrojnë” komunitetin ndërkombëtar.
Rreth një herë në muaj, anijet e ushtrisë amerikane apo avionët kalojnë përmes apo mbi ujërat që e ndajnë ishullin demokratik dhe vetëqeverisës të Tajvanit nga Kina. Këto misione gjithmonë zemërojnë Pekinin.
Kina pretendon se Tajvani është pjesë e saj dhe thotë se ka juridiksion mbi Ngushticën e Tajvanit. Tajvani dhe SHBA-ja e kundërshtojnë këtë pretendim, duke thënë se Ngushtica është në ujërat ndërkombëtare.
Marina amerikane tha se një avion patrullues detar fluturoi përmes Ngushticës “në hapësirën ndërkombëtare ajrore”, duke shtuar se fluturimi demonstroi përkushtimin e SHBA-së për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur.
“Duke operuar brenda Ngushticës së Tajvanit, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, SHBA-ja mbron të drejtat dhe liritë e lundrimit të të gjitha shteteve”, u tha në njoftim.