Kina dhe India njohin agresionin rus në OKB

schedule10:25 - 3 Maj, 2023

schedule 10:25 - 3 Maj, 2023

Kina dhe India, të cilat deri më tani kanë qënë kundër dënimit të Moskës për pushtimin e Ukrainës, kanë votuar në favor rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për marrëdhëniet midis Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës, e cila i referohet në mënyrë eksplicite agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë.

Drita jeshile për rezolutën e miratuar javën e kaluar me 122 vota pro, 5 kundër dhe 18 abstenime, përfaqëson ndryshimin e parë diplomatik lidhur me pozicionin e Delhit dhe Pekinit ndaj luftës së Vladimir Putin në Ukrainë.

Një hap i vlerësuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.

“Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për bashkëpunimin me Këshillin e Evropës me 122 vota, duke përfshirë partnerët kryesorë të G20 si Kinën, Brazilin, Indinë dhe Indonezinë”, tha Borrell në Twitter.

“Ne e mirëpresim rezolutën, e cila qartazi e cilëson luftën e Federatës Ruse kundër Ukrainës si agresion”, tha ai. Rusia, Bjellorusia, Siria, Nikaragua dhe Koreja e Veriut votuan kundër rezolutës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!