“Kimikatet e përhershme” toksike gjenden te lundërzat britanike

schedule07:20 - 29 Janar, 2022

schedule 07:20 - 29 Janar, 2022

Sipas një studimi, “kimikatet e përhershme” toksike të përdorura në tiganët që nuk ngjiten dhe në paketimin e ushqimeve janë gjetur te lundërzat në të gjithë Anglinë dhe Uellsin. Substancat përdoren gjithashtu në veshje të papërshkueshme nga uji dhe në produktet rezistente ndaj njollave. Kimikatet janë të lidhura me komplikimet e shtatzënisë, sëmundjet e mëlçisë, kancerin dhe sëmundje të tjera.

Shkencëtarët thonë se përqendrimet e këtyre përbërjeve te lundërzat janë një udhëzues për nivelet e ndotjes në mjedis. Substancat mund të rrjedhin nga produktet, duke hyrë në kanalizime dhe veprat e trajtimit të ujërave të zeza, nga të cilat ato më pas mund të ndotin mjedisin më gjerësisht. “Kimikatet e përhershme” toksike janë të pranishme dhe në llumrat e tokës bujqësore dhe mund të kalojnë nga fushat në lumenj.

Fabrikat dhe vendgrumbullimet e mbetjeve janë një tjetër burim për kimikatet. Danimarka kohët e fundit ndaloi përdorimin e tyre në letrën e paketimit të ushqimit raporton gazetarja Claire Marshall e “BBC”. Këto substance njihen si “kimikatet e përhershme” toksike sepse nuk shpërbëhen lehtë në mjedis.

Ato kontaminojnë peshqit, të cilët më pas mund të gëlltiten nga kafshët dhe njerëzit. Komponimet e “kimikateve të përhershme” toksike gjithashtu mund të futen direkt në ujin e pijshëm. Studiuesit testuan 50 lundërza të gjetura të ngordhura midis viteve 2007 dhe 2009 dhe zbuluan “kimikatet e përhershme” toksike në të gjitha. Në 80% të kafshëve studiesit zbuluan se kishin të paktën 12 lloje të ndryshme të kimikateve në mëlçinë e tyre.

Emily O’Rourke, një studente doktorature në Universitetin e Kardifit dhe autorja kryesore e studimit i tha “BBC News” se lundërzat ishin një specie “rojtare”, duke zbuluar një “ndotje të gjerë mjedisore” të ujërave të freskëta britanike. Hulumtimi mbështet një raport të fundit të Komitetit të Auditimit të Mjedisit, i cili tregoi se kishte një “koktej kimik” të ndotësve në lumenj. Është e paqartë nëse përqendrimet e kimikateve të gjetura te lundërzat janë mjaft të larta për të shkaktuar dëm.

Lundërzat ngordhën kryesisht në përplasjet rrugore dhe kështu nuk dihet ndikimi i saktë i kimikateve në shëndetin e tyre. Zonja O’Rourke tha se ka të ngjarë që kimikatet toksike të kishin një efekt “nën-vdekjeprurës”. / abcnews.al