Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un u zotua të forcojë marrëdhëniet me Moskën gjatë takimit të tij me kreun e Këshillit të Sigurimit rus, Sergei Shoigu, i cili u prit dje në Korenë e Veriut, njoftoi sot agjencia zyrtare e lajmeve KCNA.
“Ka pasur një shkëmbim mendimesh për çështjet e thellimit të dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve dhe forcimit të bashkëpunimit në mbrojtjen e interesave të ndërsjella në aspektin e sigurisë si dhe situatën rajonale dhe ndërkombëtare”, shkruan KCNA.
Në fotot e publikuara nga KCNA, Kim Jong-un dhe Sergei Shoigu shihen të përqafuar dhe buzëqeshur në fund të një vizite të ish-ministrit rus të mbrojtjes, i cili u rrëzua nga posti në maj.
Vendndodhja e takimit nuk u bë e ditur, por ekspertët thonë se Kim dhe Shoigu mund të jenë takuar në Pallatin Kumshusan në kryeqytetin Phenian, ku presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping janë pritur në të kaluarën.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut tha se vendi i tij do të “forcojë bashkëpunimin” me Rusinë bazuar në marrëveshjen e mbrojtjes reciproke të nënshkruar nga dy aleatët në qershor gjatë vizitës së Putinit në Korenë e Veriut.
Këshilli rus i Sigurimit tha në një deklaratë në faqen e tij të internetit se takimi Kim-Shoigu do të mundësonte “një kontribut të rëndësishëm në zbatimin” e kësaj marrëveshjeje.
SHBA dhe Koreja e Jugut kanë akuzuar Phenianin se ka furnizuar Rusinë me municion dhe raketa për të mbështetur luftën e saj në Ukrainë, gjë që Pheniani e ka mohuar.
Moska dhe Pheniani kanë qenë prej kohësh aleatë, por marrëdhëniet e tyre janë forcuar më tej që nga fillimi i luftës në Ukrainë në 2022.
/abcnews.al