Kim Jong-un kërkon më shumë “kontakte të ngushta” me Rusinë

schedule09:21 - 22 Shtator, 2023

schedule 09:21 - 22 Shtator, 2023

I sapokthyer nga një vizitë e profilit të lartë në Rusi dhe një takim me presidentin Vladimir Putin, lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka bërë thirrje për forcimin e “kontakteve të ngushta” me Moskën.

Në një takim të Byrosë Politike të Partisë së Punëtorëve të Koresë është diskutuar vizita “zyrtare të vullnetit të mirë” e Kimit në Rusi, raportoi agjencia e lajmeve KCNA me bazë në Phenian.

“Vizita e fundit i vendosi marrëdhëniet e Republikës Demokratike Popullore të Koresë me Rusinë në një nivel të ri strategjik në përgjigje të kërkesës së epokës së re dhe solli një ndryshim rrënjësor në situatën gjeopolitike botërore”, thuhet në një raport nga takimi, i mbajtur të mërkurën.

Kim e filloi vizitën e tij në Rusi më 12 shtator dhe e përfundoi më 17 shtator. Vizita e Kimit prezantoi plane afatgjata për zhvillimin e marrëdhënieve me Rusinë, thuhet në raport.

Ajo “arriti rezultatet e dëshiruara”, theksohet tutje.

Kim ka theksuar “nevojën për të forcuar kontaktet e ngushta dhe bashkëpunimin midis fushave përkatëse të dy vendeve, për të zgjeruar dhe zhvilluar bashkëpunimin në çdo fushë në një mënyrë të gjithanshme”.

Takimi Kim-Putin dhe bisedat për bashkëpunimin ushtarak, ngritën frikën në qarqet perëndimore se Koreja e Veriut mund të ndihmojë Rusinë të zgjasë luftën e saj ndaj Ukrainës, ndërsa Rusia mund të ndihmojë programin e armëve të paligjshme të Koresë së Veriut.