Rusia kreu një tjetër sulm me dronë për të dytën natë radhazi në kryeqytetin ukrainas të Kievit, por mbrojtja ajrore e Ukrainës i rrëzoi me sukses të gjithë ata, tha administrata ushtarake e Ukrainës, më 12 korrik.
“Pas një pushimi prej më shumë se një jave, armiku lëshoi dronë të prodhuar nga Irani mbi Kiev për të dytën ditë radhazi. Alarmi ajror zgjati për më shumë se dy orë”, tha kreu i administratës ushtarake, Serhiy Popko, në Telegram.
“Të gjithë [dronët] në hapësirën ajrore rreth Kievit u shkatërruan nga mbrojtja jonë ajrore”, shtoi ai. Popko nuk raportoi për dëme apo lëndime.
Koloneli ukrainas Serhiy Cherevatiy raportoi se trupat ukrainase të përfshira në luftime pranë qytetit të Bahmutit në rajonin lindor të Donjeckut po bëjnë përparim me një “ritëm të moderuar”.
Që nga 11 korriku, Cherevatiy deklaroi se forcat ruse kanë krijuar rezistencë të ashpër, duke u përpjekur të pengojnë avancimin e trupave ukrainase.
Cherevatiy shpjegoi më tej në një televizion ukrainas se në rajonet e Liman dhe Kupiansk, forcat ruse po përpiqen në mënyrë aktive të fitojnë epërsinë duke nisur vazhdimisht sulme kundër njësive ukrainase.
Dhjetë përleshje u zhvilluan dhe më shumë se 800 predha nga lloje të ndryshme artilerie ranë me breshëri gjatë ditës së 11 korrikut, tha Cherevatiy, duke shtuar se po aktualisht po zhvillohen luftime të ashpra për të larguar trupat ruse nga Bahmuti.
“Duhet pasur parasysh se forcat tona mbrojtëse po bëjnë punë heroike. Nganjëherë humbasim me numrin e predhave. Prandaj na ndihmon vetëm stërvitja, motivimi dhe inteligjenca jonë. Vazhdimisht po ecim përpara me një ritëm mjaft të moderuar, por me ruajtje të madhe të personelit, gjë që është më e vlefshme për ne”, tha Cherevatiy.
Sipas raporteve të inteligjencës britanike dhe Institutit për Studimin e Luftës (ISW) me bazë në SHBA, më 8 korrik, në Bahmut, pas një periudhe relativisht të qetë në qershor, qyteti është bërë sërish një pikë qendrore e luftimeve intensive.
Raportet konfirmuan se forcat ukrainase kanë bërë përparim të vazhdueshëm si në pjesën veriore, ashtu edhe në atë jugore të qytetit, i cili më parë ishte plotësisht i pushtuar nga forcat ruse.
Gjatë një interviste me transmetuesin amerikan ABC News, Oleksandr Syrskiy, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, shprehu besimin në aftësinë e Ukrainës për të rimarrë Bahmutin, duke thënë: “Po, sigurisht. Jam i sigurt”.
Në një rajon tjetër të Ukrainës, gjenerali Oleksandr Tarnavskiy, kreu i komandës jugore të Ukrainës, raportoi se trupat ukrainase shkatërruan me sukses shtatë depo municionesh ruse brenda një dite të vetme.
Trupat ruse sulmuan pozicionet e forcave ukrainase 27 herë dhe gjuajtën 668 fishekë gjatë 24 orëve paraprake, tha ai në mbrëmjen e 11 korrikut.
“Njësitë e artilerisë së forcave mbrojtëse në drejtim Tavrias kryen 1,418 misione kundër-sulmuese gjatë ditës”, tha ai.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Ukrainës për sukseset në fushëbetejë.
Sipas informacioneve të fundit nga Shtabi i Përgjithshëm, trupat ruse po përqendrojnë përpjekjet e tyre kryesore në Kupiansk, Liman, Bahmut, Avdivka dhe Marinka, ku luftimet e ashpra po vazhdojnë.
Shpërthime u dëgjuan dy herë më 11 korrik në qytetin e pushtuar të Berdianskut në rajonin e Zaporizhjas, sipas administratës ushtarake të qytetit.
Autoritetet në qytetin e pushtuar nga Rusia pohuan se sistemi i tyre i mbrojtjes ajrore kapi me sukses një tentativë për sulm nga pala ukrainase, duke rrëzuar një numër të papërcaktuar raketash Storm Shadow.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu iu përgjigj më 11 korrik njoftimit të SHBA-së për dërgimin e bombave thërrmuese në Ukrainë. Shoigu deklaroi se nëse Ukraina i merr këto municione, edhe ushtria ruse do t’i përdorë ato në fushëbetejë, duke e quajtur atë një masë “të detyruar” dhe “reciproke”.
Megjithatë, ai pohoi se Rusia aktualisht përmbahet nga përdorimi i bombave thërrmuese për shkak të kërcënimit që ato paraqesin për popullsinë civile.
Autoritetet ukrainase dhe Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar ushtrinë ruse për përdorimin e bombave thërrmuese, akuza këto që Moska i mohon. Vëzhguesi Human Rights Watch raportoi më 6 korrik se forcat ruse dhe ukrainase kanë përdorur bomba thërrmuese, duke shkaktuar vdekjen e civilëve ukrainas.
Qeveria britanike njoftoi më 11 korrik se do të sigurojë një paketë mbështetjeje me vlerë 50 milionë funta për riparimet e pajisjeve dhe ngritjen e një qendre rehabilitimi ushtarake në Ukrainë.
Kjo mbështetje, do të përfshijë mijëra municione shtesë dhe mbi 70 automjete luftarake dhe logjistike, të ofruara nga Britania dhe anëtarët e tjerë të G7-ës./REL