Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës pohoi sot se Rusia po planifikon të organizojë një aksident të madh në termocentralin bërthamor të Zaporizhia, i cili kontrollohet nga forcat ruse, si përpjekje për të penguar një kundërofensivë ukrainase për të rimarrë ato territore.
Termocentrali bërthamor i Zaporizhia është më i madhi në Evropë dhe zona ku ndodhet është bombarduar vazhdimisht, ku të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për këto sulme.
Drejtoria e inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes thotë se së shpejti forcat ruse do të bombardojnë centralin bërthamor dhe më pas do të njoftojnë për rrjedhje radioaktive. Kështu do të kërkohet një hetim nga agjencitë ndërkombëtare dhe gjatë kohëzgjatjes së tij do të pushojnë të gjitha armiqësitë.
Ky njoftim është postuar në Telegram, pa dhënë asnjë provë. Sipas Kievit, Rusia ka ndaluar rotacionin e planifikuar të inspektorëve nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, të cilët janë të vendosur në stacion. IAEA, e cila përditëson rregullisht situatën në Zaporizhia, nuk ka përmendur ndalimin e inspektimeve.
Javën e kaluar dëshmitarët thanë se forcat ruse po forconin pozicionet mbrojtëse brenda dhe rreth centralit bërthamor në pritje të një kundërsulmi ukrainas.
Në shkurt Rusia akuzoi Ukrainën se po planifikonte të organizonte një aksident bërthamor në tokën e saj për të fajësuar Moskën.
Rusia ka akuzuar vazhdimisht Kievin për planifikimin e provokimeve me armë jokonvencionale, duke përdorur agjentë biologjikë ose materiale bërthamore. Asnjë operacion i tillë nuk u materializua.