Kievi i bën thirrje Musk: Parandaloni përdorimin e Starlink në territoret e okupuara

schedule22:49 - 19 Shkurt, 2024

schedule 22:49 - 19 Shkurt, 2024

Kievi i ka kërkuar SpaceX-it të Elon Musk të bllokojë përdorimin e terminaleve të sistemit të komunikimit satelitor Starlink nga forcat ruse në territorin e pushtuar ukrainas, tha këtë të hënë një zyrtar i qeverisë ukrainase.

Terminalet Starlink u përdorën gjerësisht nga forcat e armatosura të Ukrainës pas fillimit të pushtimit rus në shkurt 2022 dhe ishin jetike për komunikimet në fushën e betejës.

Shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kirylo Budanov, i tha së fundmi Wall Street Journal se trupat ruse po përdornin mijëra terminale Starlink që i kishin marrë me ndihmën e ndërmjetësve.

SpaceX, e cila zotëron sistemin Starlink, ka siguruar se nuk bën biznes me Kremlinin apo forcat e armatosura ruse.

Zëvendëskryeministri i Ukrainës dhe Ministri i Transformimit Dixhital, Mykhailo Fedorov deklaroi këtë të hënë se Kievi i ishte afruar SpaceX para se të dihej përdorimi i terminaleve Starlink nga ushtria ruse.

“Kemi gjetur një algoritëm dhe kemi dorëzuar një propozim te SpaceX, jemi në komunikim me ta për të siguruar që nuk do të ketë incidente të tilla”, tha Fedorov, duke kujtuar se “SpaceX ka bërë diçka të ngjashme me qeverinë izraelite”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!