Këshilli Europian ka kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për situatën e emigrantëve në qendrat e pritjes në ishujt grekë. Sipas komisioneres europiane për të drejtat e njeriut, gjendja e njerëzve që jetojnë atje është shpërthyese dhe në kufijtë e katastrofës.
Situata e emigrantëve nën qendrat e pritjes në ishujt grekë është shpërthyese dhe në kufijtë e katastrofës. Deklarata u bë nga komisionerja për të drejtat e njeriut në Këshillin Europian, Dunja Mijatoviç. Ajo u shpreh se situata e emigrantëve dhe azilkërkuesve në ishujt grekë të Egjeut është përkeqësuar në mënyrë dramatike në 12 muajt e fundit.
Sipas saj është e domosdoshme që të merren masa të menjëhershme për t’u përballur me kushtet e dëshpëruara në të cilat jetojnë me mijëra qenie njerëzore. Mijatoviç foli për gazetarët, pas një vizite pesë ditore në këto qendre pritjeje. Në ishujt grekë, mes Gushtit dhe Shtatorit, kanë mbërritur 18 mijë emigrant, 8500 vetëm në Lesbo.
Ndërkohë në kampin Moria, në Ishullin e Egjeut veri-lindor, i cili ka një kapacitet prej 3 mijë personash, jetojnë 13 mijë refugjatë, 42 për qind e të cilëve janë minorenë të moshës nga 7 deri në 12 vjeç. Rreth një mijë fëmijë dhe adoleshentë janë të pashoqëruar nga të rriturit pasi kanë udhëtuar vetëm.
Refugjatët jetojnë në kushte çnjerëzore dhe të rrezikshme, me një dush të vetëm për 230 persona, një tualet çdo 100 njerëz, pa shërbime mjekësore, kontrolle apo vaksina.
Raporti më i fundit i bën një apel urgjent Bashkimit Europian për shpërndarjen e refugjatëve mes shteteve anëtare dhe lënien mënjanë të marrëveshje BE-Turqi të firmosur në vitin 2016, e cila konsiderohet e dështuar.
Një muaj më parë, përgjegjësi i qendrës së emigrantëve në Moria, Janis Balbakakis dha dorëheqjen. Ai deklaroi se largohej kryelartë por ishte shumë i lodhur. /ABC News Albania