“Khashoggi”, Prokuroria turke kërkon arrestimin e 2 zyrtarëve afër Princit saudit

schedule12:16 - 5 Dhjetor, 2018

schedule 12:16 - 5 Dhjetor, 2018

Prokuroria turke ka kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e dy bashkëpunëtorëve të afërt me Princin saudit Mohammed bin Salman. Ata kërkohen pasi akuzohen për përfshirje direkte në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Prokuroria e përgjithshme e Stambollit ka lëshuar dy mandate arresti ndaj dy funksionarëve të lartë sauditë shumë afër princit trashëgimtar të kurorës, Mohammed bin Salman në sajë të hetimit turk për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Nën akuzë përfundoi ish gjenerali Ahmed al-Assiri, numri dy i inteligjencës dhe Saud al-Qahtani, këshilltar i ngushtë i princit dhe ish-përgjegjës i komunikimeve në rrjetet sociale. Pretendohet se të dy se ishin pjesë e ekipit që planifikoi vrasjen brenda konsullatës saudite në Stamboll, ku Khashoggi ishte drejtuar për të kërkuar një kopje të dokumenteve të divorcit të tij. Rijadi i ka shkarkuar nga detyrat por është thuajse e pamundur që ata të ekstradohen.

Sipas hetuesve, ata ishin pjesë e “ekipit të vdekjes” që udhëtoi nga Rijadi pak orë përpara takimit të Khashoggi-t në konsullatë. Në G20 e Argjentinës, Mohammed bin Salman kërkoi të takonte presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Por ai u refuzua. Sauditët kanë pranuar vrasjen e gazetarit vetëm dy javë pas zhdukjes së Khashoggi-t, në një moment kur të gjitha provat ishin kundër tyre.

Hetuesit, në bazë të asaj që është zbuluar deri më tani, mendojnë se falë prezencës së ekipit të vrasësve dhe të një patologu, trupi i Khashoggi-t është bërë copash dhe është shkrirë në acid. Kjo pistë mbështet edhe nga substancat e zbuluar brenda rezidencës së konsullit saudit. /abcnews.al