“Khashoggi”, hetuesit marrin në pyetje punonjësit e Konsullatës në Stamboll

schedule23:15 - 19 Tetor, 2018

schedule 23:15 - 19 Tetor, 2018

Hetuesit turq që kanë në dorë çështjen e gazetarit Xhamal Kashogi kanë marrë në pyetje punonjësit e konsullatës saudite në Stamboll. Autoritetet në Ankara kanë deklaruar se në përfundim të procesit hetimor do të publikohen të gjitha të dhënat.

Prokurorët turq që po hetojnë zhdukjen e gazetarit Xhamal Kashogi kanë marrë në pyetje punonjësit turq të konsullatës saudite në Stamboll. Agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” ka bërë me dije se zyra e prokurorit ka mbledhur dëshmitë e të paktën 20 punonjësve të selisë diplomatike, ndërsa do të marrë edhe ato të 25 personave të tjerë, mes të cilëve shtetas të huaj. Punonjësit e pyetur janë kryesisht teknikë, financierë dhe shoferë të konsullatës, bën të ditur “Anadolu”, që saktëson se hetimi po menaxhohet nga Drejtoria kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Lidhur me çështjen autoritetet turke deklaruan të premten se nuk ia kanë dorëzuar askujt regjistrimet audio që dokumentojnë vrasjen e Kashogi në ambjentet e konsullatës, duke mohuar zërat se ia kishte kaluar administratës amerikane. “Ankaraja nuk i ka ndarë informacionet e saj me asnjë shtet. Ne do të ndajmë vetëm rezultatet që do të dalin nga hetimet, për të qenë transparent me të gjithë botën”, deklaroi ministri i Jashtëm Mevlut Çavushoglu. Edhe presidenti Donald Trump deklaroi në Tëitter se sekretarit të Shtetit Majk Pompeo nuk i ishte treguar asnjë video apo transkriptim nga konsullata saudite. Zhdukja dhe vdekja e pandehur e Xhamal Kashogit kanë shkaktuar një indinjatë ndërkombëtare dhe kanë vënë në pikëpyetje aleancën e Arabisë Saudite me Perëndimin. Gazetari, që banonte në Amerikë dhe shkruante për “Ëashington Post”, ishte një kritik i princit saudit të kurorës, Mohamed bin Salman. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!