Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Khamenei: Trump është arrogant dhe do të rrëzohet

schedule17:08 - 9 Janar, 2026

schedule 17:08 - 9 Janar, 2026

Presidenti amerikan Donald Trump është “arrogant” dhe do të “rrëzohet”. Kështu ka deklaruar Udhëheqësi Suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, në një fjalim drejtuar kombit, teksa në vend vijojnë protestat masive.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duhet ta dijë se të gjithë tiranët kanë rënë pikërisht në kulmin e pushtetit të tyre”, u shpreh Khamenei, duke sulmuar drejtpërdrejt liderin amerikan, i cili më herët kishte kërcënuar me ndërhyrje kundër regjimit iranian nëse do të vriteshin protestues.

“Duart e tij janë të lyera me gjakun e iranianëve”, tha Khamenei, duke e akuzuar Trump-in për urdhrat e dhëna gjatë sulmeve në luftën 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit në muajin qershor.



Sipas tij, Trump “pretendon të sillet si babai i kombit iranian”, por duhet të kujtojë se “figura arrogante të historisë si Faraoni, Nimrodi, Reza Khan dhe Mohammad Reza janë rrëzuar në kulmin e pushtetit të tyre”“Të merret me problemet e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.

Duke folur për protestat që kanë përfshirë vendin dhe që kanë sjellë përplasje me mbi 45 viktima, Khamenei paralajmëroi se Republika Islamike “nuk do të tërhiqet përballë sabotatorëve”.

“Kanë djegur kazanët e plehrave për t’i bërë qejfin Trump-it”, deklaroi ai, duke shtuar se “Republika Islamike ka ardhur në pushtet me gjakun e qindra mijëra njerëzve të ndershëm dhe nuk do të tërhiqet”.

Megjithatë, Khamenei u bëri thirrje “të rinjve të dashur” që të ruajnë “vigjilencën dhe unitetin”, në mënyrë që Irani të mbetet “një komb i bashkuar, i aftë të përballojë çdo armik”.

Prej 12 ditësh protestat e iranianëve kundër regjimit të ajatollahëve kanë marrë përmasa masive: dhjetëra mijëra gra dhe burra, me grushtin e ngritur, kanë dalë në rrugët e Teheranit duke shprehur zemërimin e tyre kundër Gardës së Revolucionit.

Revolta është aq e përhapur sa ka alarmuar autoritetet. Të frikësuar, njerëzit e udhëheqësit suprem Ali Khamenei kanë ndërprerë internetin, me shpresën se bota nuk do të shohë këtë valë kryengritjeje kundër tyre. Organizata joqeveritare që monitoron sigurinë kibernetike, NetBlocks, bën të ditur se vendi ndodhet “në një blackout në shkallë kombëtare”.

Bilanci i deritanishëm është i rëndë: mbi 45 protestues kanë humbur jetën, qindra janë plagosur dhe më shumë se dy mijë persona janë arrestuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!