KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës me stërvitje të përbashkët

schedule14:51 - 6 Maj, 2024

schedule 14:51 - 6 Maj, 2024

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ai i Bashkimit Evropian, EULEX, dhe Policia e Kosovës do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët më 7 maj.

E quajtur “Golden Saber 2024”, stërvitja do të zhvillohet në kampin Vrelo.

“Kjo stërvitje do ta testojë aftësinë tonë për të zbatuar procedura të përbashkëta të menaxhimit të krizave, në skenarë të ndryshëm sigurie”, tha KFOR-i përmes një komunikate për media.

Aty thuhet, po ashtu, se stërvitja do të përfshijë “një numër të konsiderueshëm personeli, automjetesh dhe mjetesh që operojnë në të gjithë zonën e stërvitjes, si dhe në rrethinat e saj dhe përgjatë rrugëve kryesore fqinje”.

“Kjo stërvitje e përbashkët simbolizon përkushtimin tonë të fortë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Duke i bashkuar forcat dhe aftësitë tona, ne demonstrojmë gatishmërinë tonë për t’i adresuar sfidat, si dhe përkushtimin tonë për të ruajtur stabilitetin rajonal”, tha KFOR-i.

Misioni paqeruajtës shtoi se pret që stërvitja të kryhet me sukses.

KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!