Këto janë rreziqet shëndetësore që vijnë nga i nxehti ekstrem

schedule22:37 - 26 Korrik, 2022

schedule 22:37 - 26 Korrik, 2022

Evropa po përballet me valën e të nxehtit rekord, teksa disa qeveri kanë aktivizuar gjendje të emergjencës shëndetësore.

Më poshtë mund të mësoni se cilat janë rreziqet shëndetësore nga i nxehti dhe si të mbroheni:

Cilat janë rreziqet?

I nxehti ndikon në shëndet në shumë mënyra.

Lodhja nga i nxehti, që përfshin marramendje, kokëdhimbje, dridhje të trupit dhe etje, mund të prekë këdo dhe zakonisht nuk është e rrezikshme nëse një person arrin të ulë temperaturën e trupit brenda 30 minutash.

Versioni më serioz është goditja nga i nxehti apo kur temperatura e brendshme e trupit shkon mbi 40.6 gradë celsius. Kjo është emergjencë shëndetësore që mund të shkaktojë dëme afatgjata të organeve apo edhe vdekje.

Simptomat përfshijnë frymëmarrje të përshpejtuar, konfuzion ose konvulsione dhe të përziera.

Kush është i rrezikuar?

Disa njerëz janë më të ndjeshëm nga i nxehti ekstrem, përfshirë foshnjat dhe personat më të moshuar. Po ashtu, të rrezikuar janë edhe ata që duhet të qëndrojnë aktivë, sikurse janë të pastrehët.

Problemet ekzistuese, përfshirë sëmundjet e frymëmarrjes dhe ato kardiovaskulare, por edhe diabeti, po ashtu rrisin rrezikun dhe i nxehti mund të përkeqësojë shëndetin e personave që kanë probleme ekzistuese.

“Kur shihni ditë të nxehta sikurse ditët e fundit, ka të ngjarë të ketë rritje të vdekshmërisë në grupet e njerëzve që kanë këto sëmundje”, tha Shakoor Hajat, epidemiolog i ambientit në Shkollën e Londrës për Higjienë dhe Mjekësi Tropikale.

Evropa në luftë me zjarret

Globalisht, nën gjysmë milioni vdekje në vit vlerësohet se shkaktohen nga i nxehti, është thënë në një studim të publikuar vitin e kaluar nga revista The Lancet, edhe pse studimi nuk ka pasur të dhëna për shumë shtete me të ardhura të ulëta.

Sipas të dhënave, më shumë njerëz vdesin nga i ftohti, por kjo pritet të ndryshojë, kanë paralajmëruar hulumtuesit.

Rreziqet më pak evidente

Ndotja e ajrit, po ashtu, rritet gjatë valëve të të nxehtit, paralajmëroi javën e kaluar Shoqata Botërore e Meteorologjisë, duke thënë se shkaktohen edhe efekte të dëmshme shëndetësore.

I nxehti gjithashtu mund të çojë në lindjen e foshnjave me peshë të ulët, në lindje të parakohshme, thuhet në një sërë studimesh.

Por, po ashtu ka edhe rreziqe që janë më pak evidente. Lawrence Wainwright, ligjërues në Universitetin e Oksfordit, tha se nivelet e vetëvrasjeve dhe problemeve të shëndetit mendor shpesh rriten gjatë valëve të të nxehtit.

Shkencëtarët argumentojnë se ende nuk ka të dhëna për ndonjë ndikim të të nxehtit te pacientët me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Koha ka rëndësi

Ekspertët thanë se vdekjet nga i nxehti ndodhin më shumë në fillim të verës, kur trupat e njerëzve ende nuk janë mësuar me ndryshimin e temperaturave.

Vendndodhja po ashtu ka rëndësi. Njerëzit që jetojnë në vende ku rëndom nuk ka temperatura të larta janë më të rrezikuar. Ndër ta janë edhe qytetarët e disa pjesëve të Evropës.

Megjithatë, ka kufizime dhe njerëzit në mbarë botën janë në rrezik nga moti i nxehtë që po shkaktohet nga ndryshimet klimatike. Veçanërisht janë të rrezikuar njerëzit që në ditë të nxehta bëjnë punë fizike.

“Në të gjitha shtetet në botë, për të cilat kemi të dhëna, ka një rritje të rrezikut të vdekshmërisë për njerëzit që u ekspozohen temperaturave të larta”, tha Eunice Lo, shkencëtar i klimës në Universitetin Bristol në Anglinë perëndimore.

Çfarë mund të bëni?

Një numër i agjencive evropiane të shëndetit publik kanë dhënë këshilla se si njerëzit të ulin temperaturën e trupit, duke këshilluar që njerëzit të mos e sforcojnë veten dhe të qëndrojnë të hidratuar.

Goditja nga i nxehti është emergjencë shëndetësore dhe kërkon trajtim të menjëhershëm mjekësor.

Agjencitë e shëndetit publik, po ashtu, i kanë këshilluar që qytetarët, që u përkasin kategorive më të ndjeshme, që të shtojnë kujdesin.

Që nga 12 korriku, pjesë të Evropës po përballen me temperatura të larta, që kanë shkaktuar zjarre në Francë, Portugali, Spanjë, Greqi, Kroaci dhe gjetkë. Si pasojë e të nxehtit, mbi 1.000 persona kanë vdekur në Spanjë dhe Portugali javën e kaluar.

Portugalia ka shënuar më 14 korrik temperaturë rekord prej 47 gradësh celsius.

Më 2003, gjatë valës së të nxehtit që përfshiu Evropën, mbi 20.000 persona besohet se vdiqën si pasojë e temperaturave të larta dhe shumica e viktimave ishin në moshë të shtyrë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!