Këto janë “bishat” e blinduara që SHBA i dhuroi Kosovës

schedule16:14 - 30 Gusht, 2021

schedule 16:14 - 30 Gusht, 2021

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan Kosovës 55 automjete ushtarake, të cilat do të ndihmojnë FSK-në që të forcojë kapacitetet për ruajtjen e garantimin e paqes. Automjetet që Qeveria amerikane i ka dhuruar FSK-së janë të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Prodhimi i këtyre automjeteve ushtarake ka filluar në vitet e 90-ta dhe ato përdoren gjerësisht në ushtrinë amerikane, shkruan REL. Pak kohë më parë Kosova kishte blerë 51 automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja.

Në vitin 2018 ishte nënshkruar kontrata ndërmjet kompanisë amerikane AM General dhe Qeverisë së Kosovës për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për blerjen e katër dronëve për nevoja të FSK-së në vlerë rreth 11 milionë euro. Automjete ushtarake po ashtu janë blerë nga Turqia. Javë më parë, Kosova ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e 14 automjeteve ushtarake të blinduara nga shteti i Turqisë.

Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes patën deklaruar se blerja e automjeteve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës është pjesë e procesit të tranzicionit të kësaj force në ushtri të ardhshme të Kosovës.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ndryshoi mandatin e FSK-së dhe në bazë të ndryshimeve ligjore, parashihet që kjo forcë në një periudhë prej 10 vjetësh të ketë kapacitete të plota ushtarake.

Përgjegjësitë e reja të FSK-së kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare./ Abcnews.al