Sot u zgjodhën me short gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor me mandat 4 vjeçar, të cilët do të marrin në shqyrtim dhe gjykojnë ankesat e partive politike duke filluar nga zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, 25 prill. Goglat përzgjodhën; Sokol Ibin, Manjola Xhaxhon, Edlira Petrin, Emona Muçin, Asim Vokshin, Gentian Medjan, Esmeralda Çekën dhe Alma Kolgjokën. Por në cilat gjykata janë aktualisht ata?
Sokol Ibi është gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë. Ai u konfirmua në detyrë nga vettingu në 6 shtator të vitit të kaluar. Emri i dytë është Manjola Xhaxho, e cila ka një karrierë prej gati 18 vitesh si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, ndërsa ishte kandidate edhe për anëtare në KLGJ. Në maj të 2 viteve më parë kaloi vettingun, raporton abcnews.al.
Edlira Petri, gjyqtare e Apelit të Tiranës është emri i tretë, e cila pak muaj më parë kaloi vettingun. Fati i buzëqeshi edhe Emona Muçit, kryetare e gjykatës së Pogradecit. Goglat ishin me fat edhe për Asim Vokshin, i cili është Gjyqtar i Apelit të Tiranës. Asim Vokshi ka mbaruar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe ka filluar të punojë si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2016 u emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Gentian Medja ishte i gjashti që u përzgjodh. Ai është gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Gentian Medja e filloi punën si gjykatës në Shkodër nga viti 2004 dhe punoi aty edhe si kryetar gjykate deri në vitin 2013, ndërsa aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Emri i parafundit ishte Esmeralda Çeka, gjyqtare në Lushnje, ndërsa e fundit Kryetarja e Gjykatës së Krujës Alma Kolgjoka.
Brenda 24 orëve nga përzgjedhja e tyre me short tetë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë bëjnë betimin në prani të Këshillit të Lartë të Gjyqësor dhe nën drejtimin e Presidentit të Republikës. Gjykata e Apelit, Tiranë tashmë duhet të vendosë në dispozicion të Kolegjit Zgjedhor mjedise të mjaftueshme pune, pajisje dhe personel, në mënyrë që të sigurojë kryerjen në kohë dhe në mënyrë profesionale të detyrave.db/abcnews.al