Këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump për sigurinë kombëtare ka dhënë alarmin se një luftë e mundshme me Korenë e Veriut po afrohet çdo ditë e më shumë. Por McMaster nënvizoi se ka mënyrë që problemi me Penianin të zgjidhet edhe pa konflikt të armatosur.
Këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump për sigurinë kombëtare, MekMaster foli për mundësinë e një lufte me Korenë e Veriut. “Mendoj se rritet çdo ditë”, u shpreh ai në forumin e sigurisë kombëtare amerikane të zhvilluar në Kaliforni. “Kjo nënkupton që ne jemi në garë. Ne jemi në një garë për të qenë në gjendje të zgjidhim këtë problem”, shton këshilltari.
Megjithatë MekMaster nënvizon se përplasja e armatosur nuk është e vetmja zgjidhje për këtë çështje. “Ka disa mënyra për të trajtuar këtë problem, pa konflikt të armatosur. Por nuk ka mbetur shumë kohë”, shprehet ai.
Javën e kaluar Koreja e Veriut lëshoi një raketë balisitke ndërkontinentale, e cila fluturoi mijëra kilometra më shumë se ajo e lëshuar në korrik. Analistët mendojnë se raketat e Penianit mund të godasin Shtetet e Bashkuara.
MekMaster thotë se ambicjet bërthamore të liderit Kim Jong-un janë kërcënimi më i rëndë për sigurinë kombëtare të Amerikës. “Kërcënimi më i madh i menjëhershëm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe botës është kërcënimi që paraqet regjimi i Koresë së Veriut dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për të zhvilluar një aftësi bërthamore me rreze të gjatë”, nënvizon zyrtari i administratës së presidentit Trump.
Ndërkohë, më tej ai i bëri thirrje aleatëve që bashkë me Uashingtonin të punojnë së bashku për të bindur Kim Jong Un se zhvillimi i fuqisë bërthamore është vdekjeprurës për të dhe regjimitn e tij./abcnews.al