Këshilltari ligjor i grupit të PD, publikon dokumentet dhe pyet SPAK: Pse nuk merret i pandehur Ëngjëll Agaçi?!

schedule17:45 - 17 Shkurt, 2022

schedule 17:45 - 17 Shkurt, 2022

Këshilltari ligjor i grupit të PD, Marash Logu ka publikuar dokumentet dhe i ka bërë thirrje SPAK të marrë të pandehur Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçin, që sipas tij është i përfshirë në aferën e inceneratorëve. Logu shkruan se ai ka shkelur ligjin dhe duhet të mbajë përgjegjësi.

Deklarata e plotë:

Në datën 11.11.2014, ministri i Mjedisit Lefter Koka i drejton një shkresë Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) duke i kërkuar dhënien e mendimit lidhur me projektvendimin për procedurën e dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit, në procedurën përzgjedhëse ME NEGOCIM PA SHPALLJE PARAPRAKE TË NJOFTIMIT TË KONTRATËS (shih fotot 1&2).

Në padurim për të marrë një përgjigje, vetëm 6 ditë pas shkresës së parë, në datën 17.11.2014, ministri Koka i drejton sërish një shkresë APP-së duke kërkuar dhënien e mendimit për projektvendimin e sipërcituar (shih foton 3).

Një ditë më pas, në datën 18.11.2014, APP i kthen përgjigje ministrit Koka, duke cituar nenin 22, pika 3 të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik/privat”, sipas të cilit për dhënien e koncesioneve/PPP mund të përdoren vetëm njërën nga tri procedurat: PROCEDURËN E HAPUR, PROCEDURËN E KUFIZUAR DHE PROCEDURËN ME NEGOCIM ME SHPALLJE PARAPRAKE TË NJOFTIMIT TË KONTRATËS (shih foton 4&5).

Duke qenë se procedura e propozuar nga ministri Koka, “ME NEGOCIM PA SHPALLJE PARAPRAKE TË NJOFTIMIT TË KONTRATËS” nuk bënte pjesë tek asnjëra prej procedurave të parashikuara nga ligji për koncesionet dhe prokurimet publike, APP i kërkon ministrit që procedura të kryhet në përputhje me parashikimet ligjore. Për dijeni të këtij informacioni, është vendosur edhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, ËNGJËLL AGAÇI. Ky i fundit pra, ka qenë plotësisht në dijeni se procedura e propozuar ishte në kundërshtim me ligjin.

Megjithëse, Agaçi ka qenë i vetdijshëm për shkeljen flagrante të nenit 22 të ligjit për konçesionet, ai i ka paraqitur Qeverisë për miratim Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 907, datë 17.12.2014 për miratimin e sigurimit të financimit për kontratën koncesionare të inceneratorit të Elbasanit. Madje, paligjshmëria arrin deri aty sa në përmbajtje të këtij vendimi thuhet se “Autoriteti Kontraktues…ka shpallur procedurën…”, në një kohë kur ishte mëse e qartë se nuk kishte pasur asnjë shpallje dhe procedura e ndjekur ishte haptazi anti-ligjore.

Për të kuptuar paligjshmërinë e veprimeve të Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, duhet të analizojmë kompetencat e tij që rregullohen sipas ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”. Konkretisht, neni 9 parashikon se Sekretari i Përgjithshëm i KM ushtron, ndër të tjera, kompetencat si vijon: c) KTHEN NË BAZË TË ARGUMENTEVE LIGJORE, PROJEKTAKTET E PARAQITURA PËR SHQYRTIM, KUR ATO BIEN NË KUNDËRSHTIM ME KUSHTETUTËN OSE LIGJIN.

Ëngjëll Agaçi pra, do të duhej t’i kishte kthyer për shqyrtim projektvendimin Ministrisë së Mjedisit, duke qenë se nuk ishte në përputhje me ligjin. Duke mos vepruar kështu, ai ka shkelur ligjin dhe duhet të mbajë përgjegjësi. Prandaj, sot me të drejtë qytetarët që kanë ndjekur seancën e djeshme të Komisionit Hetimor të Inceneratorëve, ku vetë drejtoresha e APP-së, Reida Kashta dëshmoi se për ne, procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit nuk ekziston, pyesin: PSE NUK MERRET I PANDEHUR SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I EDI RAMËS, ËNGJËLL AGAÇI?!

Sigurisht, as ne, as qytetarët dhe askush tjetër nuk është naiv. Ata e dinë fare mirë se kryefajtori i aferës 430 milionë euro të inceneratorëve është EDI RAMA, dhe se sekretari i tij është vetëm një vegël në duart e tij. Por, të qënurit vegël e paligjshmërisë në duart e shefit nuk të përjashton nga përgjegjësia. Ndaj sot është rasti që SPAK të dëshmojë vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, duke marrë të pandehur Ëngjëll Agaçin. Mbase, ai mund t’i bëjë të vetmin nder vendit të tij që kur u kthye nga Italia, duke ndihmuar në zbardhjen e plotë të kësaj mega-afere korruptive.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!