Trupi i gazetarit Xhamal Kashogi është shkrirë në acid. Është ky varianti i radhës që jepet nga autoritetet turke, në një kohë kur kërkimet për kufomën e gazetarit nuk po japin rezultat.
Një zyrtar i lartë turk ka deklaruar të enjten se dyshohet se trupi i gazetarit saudit Xhamal Kashogi është shkrirë në acid pasi është copëtuar. Jasin Aktaj, njëkohësisht këshilltar i presidentit Erdogan, ka thënë se i vetmi përfundim logjik është se personat që e vranë reporterin kanë shkatërruar trupin e tij për të mos lënë asnjë gjurmë më pas. “Ata e copëtuan trupin që ta hiqnin qafe më lehtë, por tani po shohim se përveç se e copëtuan, edhe e avulluan”, ka thënë Aktaj për gazetën “Hurrjet”. Deklaratat e tij erdhën të njëjtën ditë kur e fejuara e gazetarit, Hatixhe Xhengiz u bëri thirrje liderëve botërorë që të nxjerrin përgjegjësit e vrasjes përpara drejtësisë. Apelin e saj, Xhengiz e bëri përmes një editoriali të publikuar në 5 gazeta të njohura, përfshirë “The Guardian” dhe “Washington Post”, ku shkruante dhe Kashogi. Po ashtu, në shtypin ndërkombëtar të së premtes u raportuan lajme se princi saudit i kurorës Mohamed bin Salman u kishte thënë kontakteve të tij në Shtetet e Bashkuara se Kashogi ishte një ekstremist islamik i rrezikshëm. Sipas burimeve mediatike, Salman kishte folur në telefon me një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë përpara se gazetari të vritej. Nga ana e saj familja mbretërore ka mohuar ekzistencën e një deklarate të tillë dhe ka thënë se është e vendosur të zbulojë faktet. /abcnews.al