Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, i cili mbetet thellësisht i ndarë për çështjen izraelito-palestineze, ka njoftuar se ka vendosur të shtyjë për më vonë sot votimin e projekt rezolutës së re që bën thirrje për ndërprerjen e armiqësive në Gaza, që ndihma humanitare t’i shpërndahet popullsisë.
Emiratet e Bashkuara Arabe. vendi që ka hartuar tekstin, kërkuan që votimi që ishte planifikuar të zhvillohej të hënën, të shtyhej në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë negociatat komplekse. Sipas burimeve diplomatike, procesi pritet të riplanifikohet, ndoshta brenda ditës.
Më 8 dhjetor, megjithë presionin e paprecedentë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, SHBA bllokoi miratimin e një rezolute që bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.
Javën e kaluar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi praktikisht të njëjtin tekst me 153 vota pro, 10 kundër dhe 23 abstenime nga gjithsej 193 shtete anëtare.
Draft-rezoluta e re, e hartuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, bën thirrje për deklarimin e “një ndërprerje urgjente dhe të përhershme të armiqësive për të lejuar akses humanitar në Rripin e Gazës”.
Në veçanti, ajo kërkon që palët ndërluftuese të lehtësojnë hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare në të gjithë Rripin e Gazës, nga toka, deti dhe ajri./abcnews.al