Bashkia e Lizbonës është gjobitur me 1.25 milionë euro për dhënien e të dhënave të protestuesve ambasadave të huaja që ata kishin protestuar. Komisioneri i të dhënave të Portugalisë tha se zyra e kryebashkiakut kishte kryer 225 shkelje të të dhënave personale të demonstruesve midis 2018 dhe 2021. Të dhënat e tyre u ndanë me ambasadat e disa vendeve, përfshirë atë të Rusisë, nga zyra e ish-kryebashkiakut socialist Fernando Medina.
Ai ka kërkuar falje për shkeljet raporton “BBC”. Disa nga shkeljet ndodhën vetëm disa muaj përpara se skandali të bëhej publik, kur disa nga protestuesit ngritën shqetësimet e tyre në këshillin e qytetit, tha komisioneri i të dhënave. Zyra e kryebashkiakut thuhet se ka përcjellë informacione për organizatorët e 52 protestave tek ambasadat, duke përfshirë atë të Rusisë, Kubës dhe Izraelit.
Më shumë se 100 shkelje të tjera që ndodhën që nga viti 2012 nuk u mbuluan pasi ato i paraprinin prezantimit të Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave të Bashkimit Evropian, e cila ndaloi ndarjen e të dhënave në maj të vitit 2018. Në raport shkruhej se disa nga shkeljet mund të kishin tërhequr gjoba deri në 20 milion euro secila, por tha se komisioneri ishte përmbajtur nga vendosja e tyre për shkak të efektit të pandemisë në financat publike.
Në një deklaratë të lëshuar ditën e premte nga zyra e kryebashkiakut të Lizbonës thuhej se vendimi ishte një “trashëgimi e rëndë që lidershipi i mëparshëm… i la popullit të Lizbonës”. Në deklaratë thuhej gjithashtu se “ne do ta vlerësojmë në detaje këtë gjobë dhe se si të mbrohen më së miri interesat e qytetarëve dhe institucionit”.
Një nga qytetaret që ishte e prekur nga shkeljet ishtë Ksenia Ashrafullina që është një organizatore ruso-portugeze e një mitingu jashtë ambasadës ruse në mbështetje të kritikut të burgosur të Kremlinit Alexei Navalny. Ajo përshëndeti vendimin e komisionerit të të dhënave, por paralajmëroi se rrjedhjet mund të kenë efekte të qëndrueshme për ata që janë përfshirë. Ashrafullina tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se “Jam e shqetësuar se çfarë do të ndodhte nëse ndonjëherë do të më duhej të kthehesha në Rusi”.
Zbulimi i shkeljeve të të dhënave shkaktoi polemika të rëndësishme verën e kaluar dhe besohet të ketë qenë një faktor kryesor që ka ndikuar në humbjen e kryebashkiakut Medina në zgjedhjet e vitit të kaluar. / abcnews.al