Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, tha se ai shpreson që presidenti amerikan, Donald Trump, të marrë një vendim kundër aplikacioneve kineze TikTok dhe WeChat, në mes të një rritjeje të tensioneve midis Uashingtonit dhe Pekinit. Trump javën e kaluar deklaroi se ai po mendonte të ndalonte aplikacionin e popullarizuar TikTok.
Në një intervistë për Fox News, Navarro argumentoi se “ajo që duhet të kuptojë populli amerikan është se të gjitha të dhënat që hyjnë në ato aplikacione shkojnë te serverët në Kinë, përkatësisht te Partia Komuniste Kineze”.
“Pra, prisni veprime të fuqishme nga Trump”, paralajmëroi Navarro.
Aplikacioni TikTok i përket grupit kinez ByteDance dhe ka gati një miliard përdorues në të gjithë botën. WeChat, në pronësi të Tencent, është aplikacioni kryesor i mesazheve në Kinë me më shumë se një miliard përdorues.
Të premten kompania Amazon tha se gabimisht u dërgoi punëtorëve një email duke u thënë atyre që të heqin aplikacionin TikTok nga celularët e tyre, për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Një zëdhënës i Amazon tha se “nuk ka asnjë ndryshim në politikat tona tani në lidhje me TikTok”.
Ekipeve të fushatës së demokratëve për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së u është kërkuar të shmangin përdorimin e TikTok dhe, nëse e përdorin, të mos e instalojnë atë në një telefon të punës. Kompania hulumtuese eMarketer vlerëson se TikTok ka më shumë se 52 milionë përdorues amerikanë./abcnews.al