Juventusi fitoi 3-0 ndaj Spal mbrëmjen e kaluar dhe siguroi kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Pengesa për kalimin në finalen e madhe quhet Inter. Sfida e parë përballë zikaltërve të Contes do të zhvillohet në 3 shkurt (San Siro), ndërsa e kthimit një javë më pas.
Andrea Pirlo vlerëson suksesin e djemve të tij ndaj skuadrës së Etrit Berishës, ndalet te Gigi Buffon, i cili nuk ka ndërmend të ndalet (feston 43-vjetorin e lindjes sot) dhe e mbyll me një koment për lojtarët e rinj, duke dhënë një këshillë edhe për klubet e tjera.
“Objektivi ynë ishte kualifikimi dhe ia dolëm. U treguam të kujdesshëm ndaj një ekip që po paraqitet shumë mirë në kampionat dhe Kupën e Italisë, trofe që duam ta fitojmë. Që prej fillimit të sezonit kemi pasur shumë ndeshje të ngjeshura, por jemi mësuar tashmë me këtë ritëm.
Të premten na pret Sampdoria, një test i rëndësishëm për ne. Buffon? Uroj të luajë edhe një vit. Ndodhet në formë të mirë, po tregon nga dita në ditë se mund të luajë akoma futboll, një gjë e tillë na lumturon të gjithëve.
Lojtarët e rinj? Edhe klubet e tjera duhet të hapin sytë dhe të investojnë te talentet e reja. Juventusi ishte i pari dhe i vetmi që krijoi skuadrën B. Mendoj se ishte një zgjedhje e mirë për rritjen e këtyre lojtarëve“, theksoi trajneri i bardhezinjve. /abcnews.al