Jose Mourinho u bë i njohur nga të gjithë me Porton, skuadër që e dërgoi në majën e Evropës në vitin 2004. “Special One” ka fituar shumë gjatë karrierës së tij si trajner dhe mbetet një personazh shumë karizmatik. Verën e vitit 2016 mori drejtimin e Manchester United. Akordin me “Djajtë e Kuq” e kishte arritur shumë më herët dhe një ditë mori një telefonatë surprizë nga presidenti i Portos.
Ishte mesi i sezonit 2015/2016 dhe stoli i “Dragonjve të Oportos” kishte mbetur bosh. Jorge Nuno Pinto da Costa i kërkoi ndihmë trajnerit aktual të Tottenham, Mourinho pranoi, por Manchester United refuzoi “huazimin” e trajnerit. Një histori e veçantë që zbulohet nga kreu i Portos në një prononcim për FC Porto em Casa.
“Mbetem pa trajner në mes të sezonit dhe kontaktova Mourinhon. Jose kishte firmosur një kontratë me Manchester United dhe do merrte drejtimin e skuadrës angleze në sezonin pasardhës. I kërkova nëse pranonte të vinte te Porto deri në fund të sezonit dhe më pas të transferohej te United.
Dukej si diçka e pamundur, por jo për të. Mourinho m’u përgjigj pozitivisht. Kur filluam të besonim në realizimin e këtij operacioni, klubi anglez nuk na dha autorizim. Motivimi i tyre? U justifikuan me faktin që mund të përballeshim me ta në kompeticionet evropiane”, deklaron presidenti i Portos. /abcnews.al