Kërkon me ngulm largimin nga Lazio, klubi kryeqytetas cakton çmimin e kartonit të Luis Alberto

schedule18:52 - 16 Prill, 2024

schedule 18:52 - 16 Prill, 2024

Deklaratat e fantazistit spanjoll Luis Alberto pas ndeshjes mes Lazios dhe Salernitanës, ka trazuar jo pak ambientin te klubi kryeqytetas, me 31-vjeçarin që kërkoi haptazi largimin në fund të sezonit, madje duke hequr dorë edhe nga paga që i ka mbetur për të marrë.

E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e presidentit Lotito, i cili ia bëri të qartë Luis Albertos se palët kanë edhe tre sezone kontratë dhe se për t’u larguar, do të duhet të gjejë një klub që është gati të paguajë për kartonin e tij.
Ndërkohë këtë të hënë Luis Alberto ka pasur një takim me drejtorin sportiv të Lazios, Angelo Fabiani, të cilët kanë diskutuar pikërisht për deklaratat publike aspak të përshtatshme të spanjollit.

Lazio pritet të gjobitë Luis Alberton për shkelje të etikës, teksa mësohet se Fabiani i ka bërë me dije se do të pranohet prishja e kontratës në këmbim të 10 milionë eurove.

Për Luis Alberton kanë shfaqur interes klube si Interi dhe Napoli në Itali, megjithatë mbetet për t’u parë nëse janë gati të paguajnë shifrën që pretendon Lazio.

Këta të fundit kanë edhe tre sezone kontratë, por nuk duan të rrezikojnë duke mbajtur pa dëshirë një futbollist në skuadër dhe në të njëjtën kohë, as nuk duan ta humbin me parametra zero./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!