Diskutimi mbi inceneratorët dhe akuzat në lidhje me to u ndërprenë për gati 40 minuta në seancën e sotme parlamentare teksa një grup ministresh dhe deputetesh i kërkuan me insistim deputetit të PD-së Ferdinand Xhaferaj të kërkonte falje për një term të papërshtatshëm që ai përdori sipas tyre.
Gjatë fjalës së tij, Xhaferaj tha se kryeministri Rama kishte mbledhur një tufë çupëlinash përreth duke i imponuar vendimet që duhej të firmosnin për shkak edhe të paaftësisë profesionale të tyre. Ishte pikërisht kjo fjali që shkaktoi fillimisht reagimin e ministres Balluku dhe më pas të Mirela Kumbaros, Blerina Gjylametit si edhe të ish-ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Xhaferaj tha se ministret dhe deputetet fyen çdo sekond nga Rama duke risjellë në vëmendje edhe fotografinë e sikletshme të Grida Dumës së publikuar nga ish-kryeministri, dhe se ai nuk kishte patur qëllim fyerjen e tyre, por ishte fokusuar te mungesa e përvojës dhe profesionalizmit. Megjithatë, Xhaferaj kërkoi ndjesë duke thënë se seksizmi është një çështje e ndjeshme në Shqipëri dhe se qoftë edhe për këtë nevojitet një sensibilizim.
Pjesë nga debati:
Belinda Balluku: U bë kohë që thoni ‘çupëlina’. Keni një vajze ekselente që është vajzë shumë e mirë dhe si baba i një vajze nuk e di ku e gjeni guximin të përdhosni gratë. Unë në parlament nuk e ndaj shumë mendimin ‘gratë dhe burrat’ sepse këtu kemi ardhur të gjithë me votë. I drejtohen zonjave të grupit, a ndiheni mirë kur dëgjoni kolegët të flasin me këtë lloj gjuhe? Ju duket normale kjo? Në radhët tona kolegët nuk ju marrin nëpër gojë. Mblidhini këto burrat dhe thojini që nëse munden të merren me një gjë tjetër dhe jo të merren a janë gra, çupëlina apo të vjetra në moshë.
Ferdinand Xhaferaj: Unë në kulturën time nuk e kam problem të kërkoj falje kur është për të kërkuar, por ne po flasim për autoritetin qeverisës. Të jesh ministër nënkupton eksperiencë e kontribut dhe gjysma e zonjave ministre e kanë filluar me postin e ministres karrierën. Meqë përmende vajzën time, kam një vajzë që në shkollë është ekselente, por kurrë nuk e mendoj vajzën time në postim e ministres.
Ogerta Manastirliu: U bë e përsëritur që grave në Kuvend i etiketohen lloj-lloj epitetesh dhe kjo është e papranueshme. Sot ndihemi të fyera në dinjitet që një pjese prej jush mbase i mungon. Sot është një ditë që sot duhet të bëhet mësim që kur ofendon duhet të kërkosh falje. Ne këtu nuk do flasim për asgjë tjetër veçse për këtë dinjitet që po fyhet për gratë. Sot presim falje nga z.Xhaferraj për atë etiketim që bëri”, tha ministrja.
Mesila Doda: Unë dënoj fjalën e kolegut i cili duhet të kërkojë patjetër ndjesë edhe pse nuk besoj që qëllimi i tij të ketë qenë të ofendojë gratë. Po ashtu i kërkoj ministrave të kritikojë kryeministrin sa herë ka cenuar dinjitetin e ndonjërës prej nesh.
Erisa Xhixho: Gjuha seksiste e një kolegu për mua është e papranueshme. Çdo grua meriton respekt dhe vërejtjen e kam nga të dy krahët politikë sepse kemi parë edhe nga maxhoranca bullizëm ndaj grave dhe nga opozitat dhe duhet ët vihet një standard që asnjë grua që merret me politikë mos të bullizohet. jemi gati për debat e argumenta, por kur vjen puna për bullizëm e seksizëm në këtë parlament nuk duhet ta pranojmë nga askush, as nga kolegët tanë burra. Duhet të vendoset një standard tjetër në këtë parlament.
Oriola Pampuri: Ju kërkoni një sjellje që ju vetë nuk arrini ta zbatoni, ne kemi parë sjellje të kryeministri nga të cilat të gjitha ne jemi ndjerë keq dhe kur ju të ndaloni sjelljet e kryeministrit ndaj jush, ngrini zërin për më shumë. Kjo grugule bëhet për një arsye të madhe, për të zhvendosur vëmendjen nga një çështje e madhe. Kemi çështjen e inceneratorëve dhe ata që ndihen të frikësuar, merren me një fjalë. Zoti Xhaferraj është nga ata kolegë që ka respektin maksimal ndaj grave.
Ferdinand Xhaferaj: Është e turpshme që fjalët nxirren nga konteksti dhe bëheni bashkë si organizatë partie. Fjalët janë nxjerrë nga konteksti, unë nuk e kam problem të kërkoj ndjesë ku është për të kërkuar ndjesë.
Blerina Gjylameti: Të mblidhemi të gjitha zonjat e të ndërpresim seancën nëse Xhaferraj nuk kërkon ndjesë
Ferdinand Xhaferaj: Fjalët u nxorën nga konteksti, por nisur nga fakti që është këto 30 min shërbyen për të folur e për të sensibiluzar një çështje seksizmi që në Shqipëri vërtetë ekziston dhe duhet ët bëjmë hapa përpara, unë kërkoj ndjesë”. /abcnews.al