Kërkimi për origjinën e COVID-19; shkencëtarët drejt Azisë Juglindore

schedule17:53 - 22 Mars, 2021

schedule 17:53 - 22 Mars, 2021

Shkencëtarët që po studiojnë origjinën e virusit që shkakton COVID-19ën dhe treguesit për të parandaluar pandeminë e ardhshme, thonë se ekziston më shumë evidencë për ta zgjeruar kërkimin përtej Kinës dhe në rajonin e Azisë Juglindore.

Që nga vala e parë e konfirmuar e përhapjes së COVID-19ës, qyteti lindor kinez Wuhan u vendos në vëmendjen e botës në dhjetor 2019. Shkencëtarët që po hulumtojnë virusin SARS-CoV-2 që shkakton këtë sëmundje, janë përqëndruar kryesisht tek Kina. Patogjeni më i ngjashëm, me gati 96% ngjashmëri në kodin gjenetik, është një tjetër koronavirus i zbuluar vitin e kaluar në provincën jugore Yunnan.

Por, një sërë studimesh të fundit kanë zbuluar më shumë viruse po aq të ngjashme në Tailandë dhe Kamboxhia.

Virologët që u dërguan rishtazi në Wuhan nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të gjetur rrënjët e COVID-19ës, thonë se faza e ardhshme kërkimore duhet të përfshijë edhe Azinë Juglindore.

Ata këshillojnë që të ndiqen lakuriqët e natës. Disa specie janë rezervuarë të njohur të familjes së koronavirusëve dhe kandidatët kryesorë edhe për SARS-CoV-2.

Sinjalet nga lakuriqët e natës

Shkencëtarët kanë identifikuar tashmë mbi 100 koronaviruse të lidhura me SARS-in tek lakuriqët në mbarë Kinën, thotë Peter Daszak, një nga virologët e misionit të OBSH-së.

“Por, nuk kemi bërë punë të mjaftueshme në Mianmar, Laos dhe Vietnam për të thënë se nuk ka edhe më shumë në këto vende”, i tha ai Zërit të Amerikës.

“Kur i shënon në një hartë vendbanimet e lakuriqëve që mbartin këto viruse, fillon të shikosh se këto vende në kufirin jugor të Kinës, kanë edhe më shumë diversitet lakuriqësh dhe ndoshta edhe më shumë diversitet virusesh. Pra, edhe mund të jetë që origjina të ishte vërtet në provincën Yunnan, por mendoj se duhet të shikojmë në Mianmar, Laos, Vietnam, madje edhe më tej në të gjithë rajonin e Azisë Juglindore si një vatër e mundshme”.

Kina nuk ka pranuar të dorëzojë të dhënat për disa pacientë të hershëm me COVID-19. Megjithatë, thotë zoti Daszak, shkencëtarët kinezë dhe delegacioni i OBSH-së ranë dakort se trajektorja më e mundshme që ka përshkuar SARS-CoV-2 ka qenë nga lakuriqët e natës tek njerëzit, ndoshta nëpërmjet kafshëve të egra që mbahen në ferma.

Në fillim të vitit të kaluar, shkencëtarët nga Kina dhe Australia raportuan se gjetën viruse mbi 90% të ngjashëm me SARS-CoV-2 tek pangolinët malajzianë, një kafshë që gjuhet për mishin dhe luspat e lëkurës. Ato ishin futur kontrabandë në Kinën jugore nga Azia Juglindore.

Disa muaj më vonë, shkencëtarët gjetën viruse të ngjashëm me SARS-CoV-2 tek lakuriqë të mbledhur në Kamboxhia dhe të tharë e të ngrirë gati një dekadë më parë. Ata thanë në raportin e tyre se ky zbulim “tregon se viruset e lidhura me SARS-CoV-2 kanë një përhapje gjeografike shumë më të gjerë se ç’kuptohej më parë dhe sugjeron se Azia Juglindore përfaqëson një rajon kyç për kërkimet në vazhdim për origjinën e SARS-CoV-2”.

Në vazhdim, në muajin shkurt, shkencëtarët në Tajlandë gjetën gjithashtu viruse të ngjashëm me SARS-CoV-2 në një koloni lakuriqësh jo larg Bankokut, si dhe antitrupa të efektshëm ndaj SARS-CoV-2 në një pangolin kontrabandë të kapur nga autoritetet në jug të vendit, pranë Malajzisë.

Është relative

Supaporn Wacharapluesadee, një virologe në Qendrën Shëndetësore të Kryqit të Kuq Tajlandez për Sëmundjet Infektive në Universitetin Chulalongkorn në Bangkok, pjesëmarrëse në këtë studim të fundit, e quajti një “zbulim të rëndësishëm në kërkimet për origjinën e SARS-CoV-2”.

Ajo tha se kërkimet për origjinën duhet të çojnë aty ku jetojnë lakuriqët që mbartin virusin më të afërt.

“Për shembull, nëse gjejmë virus të ngjashëm me atë të lakuriqëve në Kinë, pra nëse i gjejmë këta lakuriqë në vende të tjera, atëherë virusi mund të jetë i pranishëm edhe në vende të tjera”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Për ta përqëndruar edhe më shumë kërkimin për burimin e SARS-CoV-2, studiuesit po kërkojnë për ngjashmëri edhe më të lartë se 96% me virusin e gjetur në Yunnan vitin e kaluar. Llojet e gjendura në Tajlandë dhe Kamboxhia variojnë në ngjashmëri nga rreth 91% në 93%.

Por, për shkak të densitetit të popullsisë dhe bollëkut të specieve të lakuriqëve në Azinë Juglindore, ekipi që zbuloi virusin e afërm me SARS-CoV-2 në Tajlandë thotë se ky rajon mund të jetë “më shumë një vatër për viruse të tilla” se sa Kina dhe se i duhet kushtuar më shumë vëmendje.

Chee Wah Tan, shkencëtar në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Duke-National në Singapor dhe gjithashtu anëtar i ekipit të OBSH-së, tha se studimi duhet të përfshijë lakuriqët e natës të rajonit, si dhe gjallesat që mund të kenë shërbyer si transmetues.

Variantet e gjendura në Tajlandë dhe Kamboxhia, “mund të jenë stërgjyshërit e SARS-COVID-2”, i tha ai Zërit të Amerikës.

“Prandaj duhet punuar më shumë në rajon për të parë nëse mund të identifikojmë gjallesat që mbartin virus me 99.9% ngjashmëri gjenetike me SARS-COVID-2”.

Në ndjekje

Kjo punë ka filluar tashmë.

Zoti Daszak, i cili është president i EcoHealth, një organizatë amerikane jofitimprurëse që lufton sëmundjet që vijnë nga kafshët, tha se po fillon puna mbikqyrëse në Laos, Mianmar dhe Vietnam, të gjitha vende kufitare me Kinën, për shenja të SARS-CoV-2 tek lakuriqët. Ata kanë bërë një punë e ngjashme me koronavirusët në Tajlandë dhe Malajzi prej disa vitesh tashmë, krahas punës së shkencëtarëve vendas.

Ai shpreson që Pekini do të rrisë mbikqyrjen dhe testimet në fermat me gjallesa të egra dhe tregjet përgjatë kufirit të Kinës jugore, për të cilën ka rënë dakort. Ai shpreson të bashkëpunojë me policinë vendase për të testuar kafshët që sekuestrohen nga trafikantët që kalojnë kufirin.

Zoti Daszak nuk pret përgjigje të shpejta se nga filloi saktësisht SARS-CoV-2 dhe si kaloi tek njerëzit. Ai thotë se kërkimet për virusin SARS kanë vazhduar prej pesë vitesh dhe shkencëtarët ende nuk janë të sigurtë se nga erdhi virusi Ebola, mbi katër dekada pasi u shfaq në Afrikë.

Kërkimet për përgjigje janë më shumë se akademike. Duke gjurmuar rrënjët e SARS-CoV-2, shkencëtarët shpresojnë të gjejnë viruse të tjera tek kafshët dhe trajektoret e tyre të përhapjes që mund të shkaktojnë pandeminë e ardhshme dhe t’i parandalojnë ato.

“Ngjason paksa me goditjen e celulave terroriste”, thotë zoti Daszak. “Kur dëgjon se mund të ketë një sulm terrorist, nuk pret për sulmin. Del në terren, prish rrjetet e tyre dhe e eliminon. Këtë duhet të bëjmë me pandemitë”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!