Aplikimet për azil në Europë ranë në nivelin më të ulët të një dekade pas mbylljes së kufijve për shkak të koronavirusit.
Shifrat e Zyrës Europiane për Mbështetjen e Azilit, EASO, tregojnë se numri i kërkesave për azil u tkurr në 8,730 gjatë muajit prill, një rënie prej 86% krahasuar me shkurtin, kur regjistroheshin më shumë se 61,400 të tilla. Blloku i mbylli kufijtë e jashtëm në mars dhe shumë prej 27 vendeve anëtare të tij e pezulluan regjistrimin e aplikimeve.
“Është e qartë se qasja e aplikantëve të mundshëm për azil ka qenë tejet e kufizuar gjatë muajve të fundit”, tha për “Reuters” drejtoresha ekzekutive e EASO, Nina Gregori.
“Situata për këta njerëz ka qenë padyshim sfiduese. Covid-19 e rëndoi edhe më tepër gjendjen e atyre që i largohen dhunës dhe persekutimit”, shtoi ajo.
Shumica e aplikimeve gjatë 2020-tës deri në muajin prill, kanë qenë nga shtetas sirianë, afganë, dhe kolumbianë.
Këto vitet e fundit, është bërë më e vështirë për azilkërkuesit që të mbërrijnë në Europë. BE-ja i ka bllokuar rrugët tokësore të emigrantëve dhe ka bllokuar edhe nisjen drejt vendeve europiane përmes detit me ndihmën e Turqisë dhe Libisë. Në prill, Italia tha se nuk do t’i lejonte anijet e emigrantëve të hyjnë në portet e saj pasi nuk konsiderohen të sigurta për shkak të pandemisë./abcnews.al