Ernest Muçit i mjaftuan 7 minuta lojë për të realizuar një eurogol në Zagreb dhe për të evituar humbjen e Legias së Varshavës në takimin e parë të raundit të tretë të Champions League.
1-1 përfundoi sfida Dinamo Zagreb-Legia, rezultat që i shërben më shumë kampionëve të Polonisë, që pas një jave do të kërkojnë kalimin në raundin tjetër në duelin shtëpiak.
Sulmuesi i talentuar shqiptar ndihet i lumtur për golin e bukur, teksa ka rrëfyer emocionet e përjetuara në prononcimin e dhënë për kanalin zyrtar të klubit.
https://streamable.com/b3oakp
“Ishte si një ëndërr për mua. Ishim afër fitores, por edhe barazimi është një rezultat i mirë. Tani na pret ndeshja e kthimit përpara tifozëve tanë, aty ku mund të sigurojmë kualifikimin.
Sigurisht që do të japim 100% nga vetja. Unë dua të rritem e përmirësohem, pres edhe më shumë nga vetja. Rëndësi ka që të shfrytëzoj shanset e mia dhe të ndihmoj sa më shumë Legian.
Luajtëm shumë mirë në Zagreb, kualifikimin e kemi në duart tona. Dinamo luajti gjithë kohës në sulm, na vuri në vështirësi, por reaguam mirë dhe krijuam shanse për të fituar.
Goli? Të gjithë më ulërasin: gjuaj, gjuaj në portë. Më vjen mirë për vendimin që mora dhe golin që realizova. Të gjithë te Legia më kanë pritur me krahë hapur. Atmosfera në skuadër është realisht e jashtëzakonshme“, deklaroi sulmuesi 20-vjeçar. /abcnews.al