Kërcimi sensual me këngëtarin, Sanna Marin reagon për videon: S’ka ndodhur asgjë e papërshtatshme

schedule17:47 - 19 Gusht, 2022

schedule 17:47 - 19 Gusht, 2022

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, shprehu trishtimin për faktin që momentet e saj private u ekspozuan për publikun. Ajo doli sot në një konferencë shtypi dhe iu përgjigj të gjitha pyetjeve të gazetarëve, një ditë pasi u publikuan video që tregonin se ajo argëtohej në një festë me miqtë dhe kërcente në një klub me një këngëtar.

Kryeministrja tha se është e vetëdijshme se si po filmohet vazhdimisht, por shtoi se u beson qytetarëve që “e kuptojnë nevojën për kohën e lirë dhe privatësinë e kryeministres”, përcjell abcnews.al.

“Shpresoj që në vitin 2022 të jetë e pranueshme që njerëzit në postin e kryeministrit të kalojnë kohën e lirë duke kërcyer me miqtë e tyre. Nuk dua ta humb besimin te qytetarët. Unë do të vazhdoj ta bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi ajo.

Marin i konsideron akuzat të rënda, duke theksuar se ka bërë një test për të vërtetuar se nuk ka përdorur drogë. Rezultatet do të bëhen të ditura për rreth një javë. Ajo theksoi se nuk ka parë të përdorej drogë në festën ku mori pjesë.

Sot është publikuar një tjetër video, në të cilën Sanna Marin shfaqet në një lokal nate, duke kërcyer me këngëtarin Olavi Uusivirta. Kryeministrja 36-vjeçare finlandeze, e martuar dhe nënë e një fëmije, është parë në një klub pak pas orës 02:30 të mëngjesit të 7 gushtit.

E pyetur për të komentuar, Marin tha se nuk ka ndodhur asgjë e papërshtatshme me këngëtarin. /abcnews.al