Policia amerikane po heton vrasjen e një 28-vjeçari të shtunën mbrëma në një pikë karburanti si një krim i mundshëm urrejtjeje. Sipas CNN, duke cituar një dëshmitar okular, O’Shae Sibley ishte me miqtë dhe po kërcente me një këngë të Beyonce, kur papritur u afrua një grup të rinjsh, të cilët filluan t’i shajnë dhe ofendojnë.
Fyerjet, kryesisht për orientimin seksual përfunduan në një sherr, sipas Otis Pena, një mik i viktimës. Tensionet u përshkallëzuan, thotë Pena, dhe një nga sulmuesit goditi Sibley me thikë. Pena u përpoq të ndihmonte mikun e tij por ai nuk ia doli.
Sibley ishte një balerin profesionist, i cili kishte marrë pjesë në disa videoklipe dhe kishte marrë pjesë në shfaqje në Qendrën e famshme Lincoln për Artet në Nju Jork.
Senatori i shtetit të Nju Jorkut Brad Hoylman-Sigal shprehu trishtimin e tij të thellë për vdekjen e Sibley në një postim të hënën e kaluar .
“Pavarësisht asaj që homofobet përpiqen të arrijnë, gëzimi i një personi që është homoseksual nuk është krim. Por sulmet që burojnë nga urrejtja janë”, ka shkruar senatori.
Sipas burimeve të rrjetit amerikan, në lidhje me krimin është në kërkim një 17-vjeçar.
/abcnews.al