Kërcënohen qytetarët e Tiranës: Më shumë para, ose ecni në këmbë! Pse argumenti i çmimit të naftës nuk qendron

schedule11:48 - 19 Tetor, 2021

schedule 11:48 - 19 Tetor, 2021

Krahas çmimit të bukës,ushqimeve të ndryshme, karburantit dhe por edhe rrezikut përballë rritjes së çmimit për energjinë elektrike, shqiptarët tashmë do të duhet të përballen edhe me shtrenjtimin e kostos së transportit.

Fiks në ditën e fillimit të vitit të ri akademik, ku Tirana përmbytet nga studentët, një pjesë e madhe e tyre përdorues të autobusëve urbanë, Shoqata e Transportit Qytetas njoftoi se kanë përgjysmuar flotën e autobusëve në rrugët e kryeqytetit me argumentin se kishin kosto të larta për shkak të shtrenjtimit të naftës.

Lënia e qytetarëve në rrugë duket se po përdoret prej tyre edhe si formë presioni ndaj institucioneve përgjegjëse, ndërsa nuk dihet se rrit kostin rritja e numrit të përdoruesve të shërbimit urban në Tiranë duke filluar nga dita e djeshme.

Në një prononcim për ABC, shoqata në fjalë u shpreh se kërkojnë indeksim të çmimit të karburantit duke kërcënuar se nëse nuk merren masa, atëherë në nëntor do të operojnë më 20% të kapacitetit.

Të vetmit që e pësojnë në këtë rast janë dhjetra mijëra qyetarë të Tiranës që duhet të përballen me një arrogancë të përditshme sa herë iu duhet të shkojnë në punë apo gjetkë.

Argumenti i pronarëve të urbanëve kësaj radhe është i njëjtë: Është rritur çmimi i naftës!

Çmimi i biletës së urbanit në Tiranë u shtrenjtua nga 30 lekë në 40 lekë në dhjetor të vitit 2015. Ky vit konsiderohet si një periudhë kur çmimi i naftës kapi rekorde.

Viti nisi me një çmim rreth 180 lekë për litër dhe u mbyll me mesatarisht 170-175 lekë litër. Pra, një çmim i ngjashëm me ditët e sotme. Por nëse me çmimin e naftës në 2015, shtrenjtimi i biletës nga 30 lekë në 40 lekë plotësonte nevojat e kompanive të transportit qytetas, duket se i njëjti çmim në 2021 nuk i plotësoin më.

Pavarësisht shtrenjtimit të biletës në 2015, urbanët në Tiranë nuk rritën shërbimin ndaj qytetarëve, ku qytetarët vijuan të futeshin si sardele në autobus; në shumicën e rasteve pa kondicionerë; me orare pa orar, me shoferë të kapur tapë në timon nga policia, etj.

Duket se edhe kësaj radhe qytetarët e Tiranës janën nën kërcënimin e kompanive të transportit qytetas, të cilët në mungesë të autoritetit të institucioneve përgjegjëse gjejnë hallkën më të dobët për t’i zhvatur edhe më tepër para, klientin e tyre, qytetarin. /E.S-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!