Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe bashkëshortja e tij, Llidija, morën të premten kërcënime me vdekje përmes rrjetit social, Twitter. Policia malazeze tha për Radion Evropa e Lirë se është duke u marrë me këtë rast, ndërsa nga Prokuroria Themelore e Shtetit dhanë urdhër që të hetohet se kush e ka bërë kërcënimin nga llogaria në Twitter.
Kërcënimet, që e lidhin fatin e Gjukanoviçit me atë të diktatorit italian, Benito Mussolini, u dërguan nga një llogari me emrin Boris Jankoviç. Postimi u shoqërua me një fotografi të ekzekutimit të Mussolinit.
Gjukanoviç është kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, të cilat do të mbahen më 19 mars.
Të mërkurën, nga e njëjta llogari në Twitter u dërguan kërcënime me vdekje edhe ndaj deputetes Draginja Vuksanoviç Stankoviç, e cila po ashtu garon në zgjedhjet presidenciale.
Vuksanoviç Stankoviç i raportoi kërcënimet në polici, konfirmuan autoritetet e rendit për Radion Evropa e Lirë.
“Kërcënimet cilësohen si vepër penale e rrezikimit të sigurisë dhe prokuroria përgjegjëse është e njoftuar për çdo gjë”, tha Policia e Malit të Zi.
Gjatë vitit të kaluar, Vuksanoviç Stankoviç mori vazhdimisht kërcënime, prandaj, nga mesi i vitit 2022, është nën mbrojtje 24-orëshe të policisë.
Vuksanoviç Stankoviç tha se kërcënimet që ajo merr, janë të motivuara politikisht dhe se nuk do ta ndalojnë atë nga aktivitetet politike, përfshirë fushatën presidenciale.
Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i dënoi kërcënimet ndaj Gjukanoviçit dhe Vuksanoviç Stankoviçit, duke thënë se ato duhet të merren seriozisht.
Ai tha se nuk ka arsye për panik, por i bëri thirrje policisë dhe prokurorisë që të hetojnë çdo kërcënim. Në zgjedhjet e 19 marsit në Mal të Zi, për president do të garojnë shtatë kandidatë.
Presidenti aktual, Gjukanoviç, e mori mandatin në vitin 2018. Ai shërbeu si president edhe në periudhën 1997-2003./REL