Veprimet e Iranit po zemërojnë gjithnjë e më shumë vendet e rajonit, veçanërisht Arabinë Saudite e cila ka paralajmëruar se do të përgjigjet ushtarakisht.
Raketat balistike iraniane shënjestruan kryeqytetin Riad, pikërisht pranë hotelit ku po mbahej konferenca me ministrat e jashtëm të vendeve të rajonit në lidhje me luftën në Lindjen e Mesme.
Pas kësaj, ministri i jashtëm saudit tha se Riadi ka të drejtën për të vepruar ushtarakisht kundër Iranit dhe theksi se çdo besim ndaj Teheranit është shkatërruar.
“Ne rezervojmë të drejtën për të ndërmarrë veprime ushtarake nëse konsiderohet e nevojshme. Shënjestrimi i Riadit, ndërsa një numër diplomatësh po takoheshin, nuk mund ta shoh si rastësi. Dhe mendoj se ky është sinjali më i qartë se si mendon Irani për diplomacinë. Ai pak besim që ishte më parë është shkatërruar plotësisht në shumë nivele. Ne do të përdorim çdo mjet që kemi, politik, ekonomik, diplomatik dhe të çdo lloji tjetër për të ndaluar këto sulme”, tha ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Princi Faisal Bin Farhan.
Këto janë komentet më të ashpra deri më tani nga një vend i rajonit ndaj Iranit. Kryediplomati saudit e akuzoi Teheranin se ka ndërmarrë veprime armiqësore të paramenduara kundër fqinjëve të tij.
Raketat iraniane u panë afër hotelit në Riad ku u mbajt takimi i ministrave të jashtëm, mes tyre nga Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Katari dhe Siria, u mblodhën për takimin konsultativ.
Arabia Saudite është sulmuar nga qindra raketa dhe dronë iranianë që nga fillimi i konfliktit, shumica e të cilëve janë rrëzuar nga mbrojtja e vendit.
Reagimi i Riadit zyrtar tregon se pavarësisht se deri më tani vendet e Gjirit kanë treguar vetëpërmbajtje ndaj sulmeve të Iranit, në fakt durimi i tyre nuk është i pafund.


