Shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë u kanë kërkuar qytetarëve të tyre që të largohen nga Ukraina pasi kërcënimi i një pushtimi rus rritet nga dita në ditë.
Por disa, si mësuesi i anglishtes Neil Reavely po zgjedhin të qëndrojnë. 48-vjeçari nga Britania jeton në Dnipro, në Ukrainën qendrore, për më shumë se 11 vjet.
Ai ka dy fëmijë të vegjël, tre dhe katër vjeç dhe është në proces divorci nga gruaja e tij, kështu që thotë se duhet të qëndrojë në Ukrainë ndërsa përpiqet të marrë kujdestarinë.
“Ky qytet është shtëpia ime, pasi kam hequr dorë nga gjithçka për të lëvizur këtu,” tha ai për BBC. “Kam bërë shumë miq këtu, të gjithë vendas. Unë njoh vetëm një person britanik këtu”, shtoi ai.
Me shumë fluturime të anuluara, Neil gjithashtu vuri në dyshim se si pritej që britanikët të largoheshin nga vendi.
“Njerëzit në Dnipro janë mjaft të qetë për të gjithë situatën, kjo është përshtypja e jashtme, një lloj stoicizmi,” thotë ai. “Ata kanë jetuar me këtë kërcënim të vazhdueshëm nga Rusia që kur rajonet e Donetsk dhe Luhansk u aneksuan nga Rusia në 2014”, shton ai.
Ndërsa familja e tij në Britani është e shqetësuar, Neil thotë se njerëzit në Dnipro po përpiqen të vazhdojnë jetën normale dhe shumica mendojnë se asgjë nuk do të ndodhë.
“Njerëzit vazhdojnë të shkojnë në festa. Unë supozohet të shkoj në futboll nesër,” thotë ai. “Shkollat janë të hapura si zakonisht. Tregjet janë të hapura. Askush nuk po i mbyll dyqanet. Është vetëm një ditë tjetër me Rusinë si fqinj”, shprehet ai. g.v/abcnews.al