Shqipëria vijon të jetë e kërcënuar nga sulmet hibride që vijnë nga Rusia. Gjatë një dëgjese në komisionin e posaçëm për Dezinformimin, ministri i brendshëm, Ervin Hoxha, tha se propaganda e Moskës ka ndikuar edhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Vlerësohet se Rusia ka shtuar prezencën dhe ndikimin në rajon, duke kundërshtuar dhe vonuar procesin e integrimit evropian të këtyre vendeve, nëpërmjet influencës politike, por edhe ekonomike.”
Hoxha u ndal edhe tek zgjedhjet parlamentare të pranverës, për të cilat tha se ministria e brendshme ka nisur punën për të pajisjen e qytetarëve me dokumente, kryesisht atyre që jetojnë jashtë vendit.
“Ministria e Brendshme ka nisur dhe do të përmirësojë të gjitha mekanizma që të ndihmojnë votuesit nga jashtë vendit për rinovimin e dokumenteve të identifikimit. Tashmë kjo kategori votuesish nuk ka detyrim për të aplikuar për dy kategoritë e dokumenteve të identifikimit, duke ulur kostot e këtij shërbimi pasi ky quhet tashmë një proces i përmirësuar.”
Në përfundim të mbledhjes, kryetari i komisionit të dezinformimit, Erion Brace, tha se duhet të hartohen ndryshime ligjore për të mbështetur institucionet, pasi nuk përjashtohen edhe ndërhyrjet në financimin e partive politike.
“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit bëjnë me dije se janë në boshllëk të plotë ligjor për të vepruar për ndërhyrjet e huaja që predorin dezinformimin për të goditur institucionet apo për të krijuar ndarje të qartë në shoqëri. S’ka bazë ligjore për të vepruar në të tilla raste. Kam frikë që edhe në zgjedhje boshllëku ligjor do na lërë zbuluar, kryesisht për financimin e partive politike. Nuk do dihet nga do vijne paratë.”
Kuadri Ligjor thotë Braçe do të shërbejë edhe për portalet online, pasi sipas tij, shumë prej tyre të cilat janë me origjinë ruse po shkaktojnë dezinformim të brendshëm./abcnews.al