Keni vapë? Si të freskoheni pa e ndezur kondicionerin

schedule23:55 - 22 Qershor, 2022

schedule 23:55 - 22 Qershor, 2022

Temperaturat e larta janë një nga problemet më të mëdha të stinës së verës, veçanërisht kur shtëpia duket po aq e nxehtë sa ambienti i jashtëm. Krahas kondicionerëve, apo mënyrave të tjera të freskimit, ka edhe disa gjëra që mund të bëni pa shpenzuar aspak.

– Mbani dritaret dhe dyert e dhomave hapur përgjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit; është më e lehtë të ruash një temperaturë konstante në shtëpi sesa të përpiqesh të ulësh temperaturën që ajo ka marrë tashmë nga vapa. Në mëngjes hapni edhe derën e shtëpisë. Pasi shtëpia është freskuar deri në mëngjes dhe tashmë temperatura brenda është më e ulët se jashtë, mbyllni dritaret dhe derën.

– Gjatë kohës së drekës, kur temperaturat janë edhe më të larta, vendosni një copë të errët te dritaret për të penguar direkt dritën e diellit.

– Pas perëndimit të diellit, nëse shtëpia ju duket më e nxehtë se jashtë, vendosni freskuesen apo ventilatorin (nëse keni) përballë dritares. Kjo do të bëjë që nxehtësia të largohet gradualisht nga dhoma/shtëpia.

– Shmangni sa të mundeni përdorimin e sobës dhe furrës. E gjithë nxehtësia jo vetëm që do i japë një ndjesi lodhjeje personit që gatuan në familje, por do rrisë dhe temperaturën e gjithë shtëpisë. Kërkoni për receta verore, të thjeshta dhe pa shumë mundim. Nëse keni një shtëpi me oborr, apo ballkon të madh, provoni të gatuani diçka në zgarë duke krijuar kështu edhe një barbeque në shtëpi.

– Evitoni dushet e nxehta. Përdoni një temperaturë neutrale uji dhe pini sa më shumë ujë!

– Rrethohuni nga bimët. Nëse keni një hapësirë të vogël të lirë, tarracë, ballkon apo kopësht, sidomos në pjesën e shtëpisë që është më e ekspozuar ndaj diellit, plotësojeni atë me bimë. Ato do të shërbejnë si mburojë ndaj ngrohjes.

– Fikni pajisjet elektroshtëpiake. Përveçse konsumojnë energji, pajisjet eektroshtëpiake të vendosura në prizë e ngrohin ambientin. Hiqni nga priza kur nuk i përdorni pajisjet si: kompjuteri, televizori, makinetën e kafesë dhe fikeni dritën kur nuk ju duhet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!