“Keni gënjyer”, Basha insiston: 16 mijë viktima më shumë nga covid, rrena edhe për vaksinimin

schedule10:31 - 7 Tetor, 2021

schedule 10:31 - 7 Tetor, 2021

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza ndaj qeverisë lidhur me vaksinim anticovid. Basha ka thënë se qeveria ka dështuar me menaxhimin e pandemisë ndërsa shton se autoritetet kanë dhënë shifra të rreme lidhur me vaksinimin por edhe me vdekjet nga covid.

Këtë akuzë Basha e bazon sipas tij në raportin e Komisionit Europian, sipas të cilit Shqipëria kishte shifrën më të lartë të vdekjeve për vitin 2020. Sipas kreut të PD-së, janë 16 mijë shqiptarë më shumë të vdekur se mesatarja e viteve të kaluara.

““Rendi i ditës së sotme, i cili ka në qendër marrëveshjen me Pfizer,  vendos edhe njëherë pandeminë në qendër të debatit parlamentar, siç ka qenë në qendër të debatit edhe në familjet tuaja. Këto ditë është diskutuar në komisione, sigurisht nga përfaqësuesit e opozitës, për vaksinimin dhe diferencën mes shifrave të raportuara nga qeveria dhe ato të raportuara nga entitete ndërkombëtare. Dhe si në traditën më të keqe të kësaj qeverie, ajo që thuhet, nuk bëhet. Kjo nuk është hera e parë që ndodhë dhe as hera e parë që gënjejnë me pandeminë.  Sepse qytetarët tashmë e dinë që kanë gënjyer për ndihmën ekonomike, që kanë gënjyer për rimbursimin e të prekurve nga Covid-19, që kanë gënjyer për tenderat abuziv në kohë pandemie, të mveshura me sekretin shtetëror, por, mbi të gjitha, që kanë gënjyer për numrin e jetëve të humbura.  Këtë nuk e themi ne, paçka se e paralajmëruam.  Këtë e konfirmon tashmë edhe raporti i Komisionit Europian, në të cilin njoftohet se Shqipëria ka shtesën më të lartë të vdekjeve në Europë për vitin 2020.” tha Basha.  /abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!