MIRDITË- Përvjetori i revoltës së ish të burgosurve politikë të burgut famëkeq të Spaçit, përkujtohet çdo vit nga ish të dënuar të regjimit të komunizmit.
Për qëndresën e atyre që sakrifikuan ndaj diktaturës komuniste, Zef Gjonaj, që vjen nga një familje e persekutuar, në një intervistë për Abc News tregon se ka krijuar një këngë.
“Frymëzimin e mora nga nena ime ka vuajtur një vit burg padrejtësisht”, tha ai.
Gjonaj, një njohës i mirë i historisë, tregon kushtet në detaje dhe ambientet e burgut të Spaçit.
Njerëzit që dënoheshin këtu thotë Zefi, kanë qenë intelektualë, që kishin studiuar në perëndim dhe refuzonin t’i bindeshin regjimit.
Puna e detyruar në minierë, torturat psikologjike dhe fizike, por edhe gjendja e mjeruar, ishin arsyet që të burgosurit u ngritën në revoltë.
Ndërtimi i një muzeu do mundësonte panoramën e kalvarit të vuajtjeve nga ish të dënuarit dhe brezat që do të vijnë, të njihen me historinë dhe të kaluarën./abcnews.al