Kreu demokrat, Sali Berisha deklaroi se do të përmirësojë shërbimin shëndetësor, nëse vjen në pushtet.
Gjatë fjalës së tij, në tubimin në Pallatin e Kongreseve, për prezantimin e programit të PD, Berisha tha se Shqipëria ka më pak mjekë se vendet e BE.
Berisha shtoi se rrogat e mësuesve, do jenë më të lartat në rajon.
“Shqipëri Madhështore nuk mund të ketë me shëndetësi të rrënuar. Qytetarët shqiptarë meritojnë të gjithë kujdesin shëndetësor, të gjitha mjetet më të mira, meritojnë të trajtohen si qytetarë europianë. Edi Rama tund pasaportën e çjerrë të Europës, por po të ndalemi tek krimet kundër njerëzimit dhe baterdinë që ndodh në Spitalin Onkologjik. Miq, sa kohë ka që situata dramatike në spital është bërë publike? Të paktën mbi një vit. Kurse qeveritarët nuk bëjnë gjë tjetër veçse vjedhin paratë e ilaçeve, kurse të sëmurët mbeten në kthetrat e sëmundjes pa mjekime, pa ilaçe, në mëshirë të fatit. Treguesit e shëndetit, treguesit e sistemit janë në rënie të lirë. Sot ne kemi mjekë 4 herë më pak për frymë se në vendet e BE. Sot infermierët dhe mjekët vetëm largohen nga Shqipëria. Ndaj ne jemi sot këtu për t’u zotuar para shqiptarëve, se shëndetësia moderne, se kujdesi shëndetësor i nivelit më të mirë, se dyfishimi i rrogave për mjekët dhe infermierët, se pajisja me aparaturat më moderne, është zotimi ynë.
Pa shëndetësi nuk ka Shqipëri Madhështore. Natyrisht Shqipëria Madhështore nuk mund të ndërtohet me një shkollim, në të cilin dijet bien në pikiatë. Pësuan sipas testit të fundit të PISA-s, rënien më të madhe në botë,. Ne ringritjen e arsimit do e kemi përparësi të të gjitha përparësive. Do dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë dhe arsimin. Mësuesin nga mësues për partinë, do e shndërrojmë në mësues për fëmijët tanë. Rrogat e mësuesve do jenë më të lartat në rajon. Nuk do ketë rrogë nën 1500 euro. Teknologjia e informacionit do jetë në çdo shkollë kudo që ndodhet. Nxënësit dhe studentët shqiptarë do bëhen konkurrues me moshatarët e tyre kudo në botë. Ne dhamë një provë, e gjetëm në fund, por bëmë ngjitje vertikale. Dhe prapë do bëjmë ngjitje vertikale. Asgjë nuk na pengon ne të ndërtojmë në Shqipëri një arsim cilësor”, theksoi ai./abcnews.al